Jay-Z ka deklaruar se gruaja që e ka akuzuar për përdhunim e di mirë që s’ka ndodhur kurrë. Kjo është arsyeja pse ai tanimë i është drejtuar gjykatës duke ngritur një padi kundër akuzueses anonime, Jane Doe dhe avokatit të saj, Tony Buzbee.
TMZ raporton se në padi, Jay thotë se ajo e ka ushqyer median dhe gjykatën me këtë rrëfim fals edhe pse e pranonte që sulmi s’ishte i vërtetë.
Sipas tij Jane Doe i ka thënë Buzbee se reperi nuk e ka sulmuar dhe avokati “e shtyu të vazhdonte me rrëfimin fals të sulmit në mënyrë që të siguronte një dëmshpërblim maksimal”.
Jay-Z thotë se e gjitha ishte një “komplot i ligë” që ai t’i paguante Buzbee një shumë të majme parash për të mbyllur gojën, edhe pse po gënjenin. Jane Doe e tërhoqi padinë muajin e kaluar dhe s’mund ta rihapë.
Jay thotë se ajo ka deklaruar para ekipit të saj ligjor se po gënjente dhe shton se Buzbee po përpiqet ta zhvasë përmes akuzave sikur njerëzit e tij e kanë përndjekur gruan.
Në dokumente, Jane Doe deklaron se ajo është zënë në befasi jashtë shtëpisë së saj nga dy persona që i janë prezantuar si hetues për një nga avokatët e reperit. Sipas saj, ata u përpoqën ta bindnin që të firmoste një deklaratë ku thoshte se akuzat ishin vetëm një sajesë, por ajo refuzoi.
Ndër të tjera, ajo shprehet se hetuesit e kanë pyetur nëse ishte Tony Buzbee ai që e kërkoi atë si kliente dhe i ofroi para për të hapur padinë, por këto akuza i mohon. Sipas Jane Doe, kjo përballje e ka frikësuar dhe tmerruar duke e bërë të pyesë veten sesi ia zbuluan identitetin anonim. Madje, edhe prindërit e saj kanë përjetuar të njëjtën situatë sepse janë pyetur për avokatin dhe historinë e përdhunimit.
Historia në fjalë e akuzon Jay-Z për drogimin dhe përdhunimin e akuzueses në vitin 2000. Ai i ka mohuar akuzat dhe po kërkon dëmshpërblim prej saj./tvklan.al