Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video këtë të Martë me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Ëngjëll Agaçi. Ky i fundit duket në gjendje më të mirë shëndetësore dhe bën një falenderim të shkurtër për të gjithë ata që e kanë mbështetur. Këtu ndërhyri shefi i kabinetit duke thënë se “nuk duhen falenderuar të gjithë”, se ka nga ata që kanë aluduar e hedhur akuza mbi Agaçin.

“Sapo jam kthyer nga Berlini dhe kam gjetur këtu një të kthyer tjetër nga arratia, ja ku është! Atyre të tjerëve pa merak, më 11 Maj”, tha Rama.


“Ky është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, të cilin Bufi i Kënetës e shpalli arratiak në kërkim nga drejtësia dhe e gjithë aradheja kënetore kanal më kanal e portal më portal, ia telendisi familjen e të afërmit, duke batërdisur publikun me kua-kua-kuara të ububushme, teksa tjetri ishte në fije të perit në reanimacion me frymëmarrje të drejtuar, pas një operacioni në zemër që pasoi nga një ndalim i funksionit të mushkërive”, shkruan ai krahas videos.

Së fundmi, kryedemokrati Sali Berisha e ka cilësuar Agaçin “një person të arratisur”, duke pretenduar se laptopi i tij është sekuestruar nga SPAK. Madje, ai dhe opozitarë të tjerë kanë thënë se në Kryeministri është ushtruar kontroll nga agjentët e BKH-së.

Rama i hodhi poshtë këto pretendime, duke treguar se Agaçi ka qenë në një spital në Itali për shkak të një problemi serioz me mushkëritë.

/tvklan.al