Shqipëria ka rrëmbyer vëmendjen e mediave kryesore gjermane me prezencën e saj si vend nderi në Panarin Turistik Botëror që po mbahet në Berlin.

Është e përditshmja më e madhe kryeqytetase, “Berliner Zeitung”,  ajo që shkruan për historinë e suksesit të Shqipërisë në turizëm, ndërsa thotë se vendi ynë është në qendër të vëmendjes në panarin global.

Nëse 20 vjet më parë nuk ishte në hartën turistike, për “Berliner Zeitung” sot Shqipëria përfaqëson një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë turistike në Europë.

Në artikullin e gjatë, shkruan për prezantimin e Shqipërisë në sytë e botës nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili foli për avantazhet, kulturën dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë që duhet të vizitohen me patjetër nga të huajt dhe vetë gjermanët.

Nuk është e para herë që “Merkur.de” i ka kushtuar reportazhe destinacioneve të vendit tonë. Për vijën bregdetare thotë se të lë pa frymë. Sugjeron plazhe që shpesh herë janë quajtur si “Maldivet e Europës”. Sugjeron Gjipen si parajsë të fshehur, plazhin e Borshit, si një nga plazhet më të gjatë në Shqipëri, Ksamilin për rërën e bardhë, Livadhin, Pasqyrat, Velipojën dhe Dhërmiun.

Edhe e përditshmja “T- Online” i kushton një artikull të gjatë Shqipërisë historike.

“Vendi i vogël magjeps me historinë e tij plot ngjarje dhe po tërheq gjithnjë e më shumë turistë”, thuhet në shkrim, i cili zbërthen të gjitha etapat historike që ka kaluar Shqipëria që nga periudha Osmane. Flet për Apolonninë, Beratin, Gjirokastrën, Butrintin, si destinacione të veçanta historike ku mund të mësosh gjithçka për historinë e vendit.

“Në Shqipëri, rrënojat antike takohen me qytetet modern”, thuhet në artikullin që fton turistët që ta njohin vetë Shqipërinë kulturore.

Tv Klan