Në tapetin e kuq gjatë ceremonisë së çmimeve Oscar yjet e Hollywood-it do të parakalojnë me veshjet e tyre të kombinuara me bizhuteri të ndryshme. Sally Morrison, e cila punon për kompaninë De Beers thotë se për eventin më të rëndësishëm të kinematografisë të famshmit nuk do të kursehen kur bëhet fjala për diamantet.

“Ajo që shohim më shumë në tapetin e kuq është që të famshmit zgjedhin të mbajnë një palë vëthë të mëdhenj ose një gjerdan të madh. Mbajnë shpesh edhe unaza me diamantë. Unë mendoj se bizhuteritë që janë më të vogla në përmasa janë për ngjarje si Spirit Awards. Por për çmimet Oscar, duhen bizhu që bien në sy, ose përndryshe më mirë rrini në shtëpi”, tha Sally Morrison, punonjëse në kompaninë De Beers.

Çdo vit Grupi De Beers, i cili daton në 1888, është një nga furnizuesit kryesorë të diamanteve për kompanitë e bizhuterive. Ajo gjithashtu ka dyqanin e saj me pakicë, De Beers London.

Procesi i zgjedhjes së tyre nga të famshmit është i ndërlikuar.

“Procesi i marrjes së bizhuterive për ngjarjet e tapetit të kuq është mjaft i ndërlikuar dhe delikat. Zakonisht dëgjojmë nga shumë stilistë. Ata do na tregojnë se çfarë lloj gjërash po kërkojnë për nga forma, por edhe nga ngjyrat që duan. Padyshim që ne paraqesim imazhe të pjesëve të veçanta që mbajmë për sezonin e tapetit të kuq, por edhe bizhuteri të reja. Ata i vëzhgojnë dhe më pas i marrin. Është një periudhë e vitit që na ngarkon mendërisht, por është gjithashtu super emocionuese”, tha Sally Morrison.

Sally Morrison tregon për bizhuteritë më të rralla që janë parë gjatë ceremonisë së Oscar gjatë viteve të fundit.

Në tapetin e kuq të Oscar-it në veçanti, ne shohim bizhuteri shumë të veçanta dhe të rralla. Kemi qenë dëshmitarë të vendosjes së karficave të flokëve në mënyra interesante. Edhe në flokë janë vendosur karfica me diamantë. Këto bizhuteri kanë qenë njëkohësisht edhe shumë moderne”, tha Sally Morrison.

Nga personazhet që kanë sjellë trende të reja dhe i kanë treguar publikut se si mund të vendosen në një mënyrë kreative bizhuteritë Sally veçon këngëtaren Sabrina Carpenter.

“Së fundmi Sabrina Carpenter zgjodhi një pamje me të vërtetë të veçantë gjatë ceremonisë së çmimeve Grammy. Ajo mori një varëse të gjatë e cila varej deri në pjesën fundore të shpinës. Ishte një varëse klasike por e sjellë në një mënyrë shumë kreative”, tha Sally Morrison.

Por pas Sabrina Carpenter edhe aktorja tjetër Joey King vendosi të bënte të njëjtën gjë.

“Këtë varëse të gjatë aktorja Joey King zgjodhi ta vendoste mbrapsht gjatë ceremonisë së Critics Awards. Më duhet të them se është një bizhuteri e cila mund të kombinohet me pjesë të tjera, siç edhe ka ndodhur tashmë”, tha Sally Morrison.

Morrison shpjegon se vëthët janë gjithmonë një zgjidhje e shkëlqyer kur bëhet fjala për evente të tilla të rëndësishme.

Pra, një tjetër trend i madh që kemi parë këtë vit janë vëthët. Kemi disa të shkëlqyera këtu. Ky nga koleksioni ynë Alchemist of Light është interesant sepse është bërë me titan”, tha Sally Morrison.

Edhe këtë vit nuk do të mungojnë gjerdanët e mëdhenj. Sarah Paulson zgjodhi një të tillë në ceremoninë e çmimeve të Golden Globe të këtij viti.

“Ky i veçanti këtu me dy gjerdanë të tjerë të linjës sonë është mbajtur së fundmi nga Sarah Paulson. Ajo i vendosi të gjitha duke rënë shumë në sy”, tha Sally Morrison.

Personazhet e njohur nuk kanë guxuar vetëm në llojin e bizhuterive, por edhe ngjyrave të tyre.

“Po shohin që yjet e showbizit po zgjedhin varëse me shumë diamantë. Javën e kaluar, Zoe Saldana zgjodhi një varëse të madhe e cila përbëhet nga diamantë të ngjyrave të ndryshme si jeshile kafe dhe të verdhë. Një shembull të atij lloji e kemi edhe në dyqanin tonë”, tha Sally Morrison.

Ceremonia e Oscar i jep mundësinë të famshmëve të bëjnë eksperimente të ndryshme në fushën e modës, siç dëshmohet nga një gjerdan i vendosur ndryshe nga Colman Domingo.

“Për sa i përket bizhuterive klasike me diamante për meshkuj, Colman Domingo, për shembull, mbajti një gjerdan të linjës sonë vitin e kaluar në Bet Awards. Shumë bizhuteri me diamante i kemi parë edhe tek aktori Timothee Chalamet. Ai ka mbajtur një gjerdan të linjës sonë. Po presim me mjaft interes se çfarë do të zgjedhë të vendosë për pjesën tjetër të sezonit”, tha Sally Morrison.

Ata që kanë sjellë tendenca të reja nuk kanë qenë vetëm nga gjinia femërore, por edhe ajo mashkullore.

Tendencat po evoluojnë në diçka më imagjinative, më të veçantë. Këtu kemi katër spila që janë mbajtur nga Jeff Goldblum dhe i ka vendosur në një xhaketë në Golden Globes këtë vit. Unë mendoj se burrat do të jenë gjithnjë e më kreativë dhe do të eksperimentojnë me bizhuteritë  klasike”, tha Sally Morrison.

Megjithatë ka nga ata personazhe të famshëm që preferojnë t’i qëndrojnë besnikë diamantëve klasikë.

Klan News