“Marrëveshja e BREXIT nuk preket”
Presidenti në detyrë i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker u tregua i prerë me kryeministrin e ri britanik Boris Johnson për çështjen e Breksit. Në një komunikim telefonik Juncker i bëri të qartë se ekziston vetëm një marrëveshje, për daljen e Britanisë nga unioni. Ndërsa përfaqësuesi i Bashkimit Europian për negociatat, Mishel Barnie i kujtoi se nëse do të preket regjimi doganor me Irlandën e Veriut nuk mund të ketë marrëveshje mes Londrës dhe Brukselit.
Michel Barnier, negociatori i BE për Brexit: Duhet të jemi gati për një situatë ku kryeministri britanik i jep prioritet planit për të dalë pa marrëveshje, që mund të jetë edhe një formë presioni për unitetin e 27 vendeve të unionit.
Projekti për ruajtjen e lëvizjes së lirë të mallrave mes dy pjesëve të Irlandës edhe pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian ishte pjesë e marrëveshjes që Theresa May arriti me liderët e vendeve anëtare të Unionit. Por Boris Johnson dhe grupi i rebelëve brenda konservatorëve e konsideruan këtë pikë të marrëveshjes, si tepër të dëmshme për Britaninë e Madhe, pasi sipas tyre Londra humbte de facto sovranitetin mbi Irlandën e Veriut.
Tv Klan