Prokuroria e Posaçme ka hedhur më shumë dritë mbi akuzat që rëndojnë ndaj ish-deputetit të PS-së Jurgis Çyrbja, Ahmet Mashës dhe Altin Hajrit.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, SPAK shprehet se Çyrbja gjatë ushtrimit të detyrës së tij si deputet, i ka ofruar favorizime të shumëkërkuarit të drejtësisë Altin Hajri. Ky i fundit në këmbim, i siguronte vota për t’u zgjedhur deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021.
“Jurgis Çyrbja i ka ofruar favorizime të ndryshme të hetuarit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, Altin Hajri, duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore. Nga ana tjetër Altin Hajri në këmbim të këtyre favoreve i ofronte Jurgis Çyrbjas votues në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.”
Një tjetër akuzë ndaj ish-deputetit është dhe nxjerrja e sekretit hetimor. Për këtë, ai ka bashkëpunuar me Ahmet Mashën. Ata kanë dekonspiruar të paktën 7 operacione te policisë për arrestimin e disa të kërkuarve.
“Jurgis Çyrbja është vënë në dijeni edhe të disa planeve operacionale të Policisë së Shtetit, lidhur me kontrollet që do zhvilloheshin në zonën e Durrësit, me qëllim për të kapur personat e shpallur në kërkim dhe ky informacion u është transmetuar personave të shpallur në kërkim. Kjo ka shërbyer që këta persona të qëndronin të fshehur me qëllim që t’i shpëtonin kapjes apo arrestimit të mundshëm nga strukturat e Policisë së Shtetit.”
Një prej rasteve që akuzohet se ka dekonspiruar operacionin e policisë, ka qenë dhe aksioni për të arrestuar Altin Hajrin, i cili ndodhet në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Gjatë operacionit për arrestimin e Crybjas dhe Mashës, policia sekuestroi pesë telefonë, një hardisk të jashtëm, një pajisje regjistrimi, 1.100 Euro dhe dokumente pronësie.
Klan News