#JoVetëmModë #OrindaHuta #TvKlan
Dasma e Iva Tiços! Zgjedhja e fustaneve, betimet në kishë e darka me pak të ftuar
Nga fustani i frymëzuar prej gjyshes te përzgjedhja e datës, detajet nga dasma e Iva Tiços
Më 27 prill, gazetarja Iva Tiço u kurorëzua në martesë me partnerin e saj, Soren. Dita e tyre e lumtur pati një ceremoni në kishë si edhe një festë shumë intime, por nga imazhet e shpërndara fillimisht në rrjetet sociale mund të dallohej minimalizmi dhe thjeshtësia që e karakterizuan.
Për “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, Iva tregon se ka një domethënie pas shumë zgjedhjeve. Së pari, fustani të cilin nuk e dëshironte aspak në stil princeshe, por kishte gjithnjë para syve fustanin e gjyshes.
Iva Tiço: Gjithmonë kam dashur që të kem një fustan që të ishte si fustani i gjyshes time. Kjo fotografi ka qenë në dhomë, në një kornizë dhe gjyshja ime e ka humbur këtë fustan gjatë luftës. Për një rastësi, ajo thoshte që ia kanë marrë gjermanët, unë po martohem me një gjerman tani. Sa herë që unë kisha menduar që do bëjmë dasmë, nuk mendoja që mund të vishja një fustan të atillë, do vishja diçka shumë më të thjeshtë për një dasmë civile në bashki dhe për një festë. Kur i thashë Mandit ne kemi vendosur të martohemi në kishë, Mandi tha “tani nuk kemi zgjidhje tjetër, tani do të bëjmë fustanin e Uranisë”.
Emocionet nuk kanë munguar përgjatë periudhës së organizimit të dasmës dhe Iva thotë se ka ndier shpesh nervozizëm apo padurim.
Iva Tiço: Ndonjëherë më duket sikur s’jam unë, është ndezur një motor dhe bëj veprime si somnabul. Marçela thotë me gallatë herë pas here, ajo ka përvojë dhe thotë që nuses mos i fol duke filluar 40 ditë përpara se nuk mban përgjegjësi çfarë thotë dhe unë deri vonë thoja që unë jam shumë e qetë dhe nuk kam moshë për t’u emocionuar apo për të mos i pasur gjërat nën kontroll, por kam filluar dhe unë, e shoh që bëj, edhe tani që po provonim fustanet, kisha momente nervozimi ose mungesë durimi.
Por pse u zgjodh data 27 për kurorëzimin?
Iva Tiço: Data 27 sepse ne donim një datë në prill, unë po mendoja në fillim datën 20 prill sepse hapa kalendarin dhe ishte 20.04.2024 dhe i fejuari im e rrëzoi këtë datë sepse ka ditëlindjen ai dhe nuk donte që të ishte, kështu që e spostuam me një javë.
U pagëzua me emrin Ana para dasmës, Iva Tiço zbulon arsyen e vendimit
Vetëm pak ditë përpara dasmës, Iva Tiço vendosi të pagëzohej. Në këtë ritual të shenjtë ajo mori edhe emrin Ana. Gjatë intervistës për “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, gazetarja shpjegon arsyen e këtij vendimi.
“Me gjyshër jemi familje me origjinë ortodokse me disa rite që nuk janë të sakta, mund të jenë të rimarra për shkak të asaj ndërprerjes shumë të gjatë ku të gjithë i ndërprenë dhe më vjen mirë që e zgjodha në një moshë shumë të pjekur, me mbështetjen dhe me qëndrimin afër të Enkel Demit, mikut tim, i cili është edhe kumbari im në këtë rast”, tha Iva.
Vetëm 60 të ftuar, formula ‘magjike’ e Iva Tiços për ditën e dasmës
Pas ceremonisë në kishë në ditën e kurorëzimit të Iva Tiços dhe Soren, ishte organizuar një festë e vogël dhe private. Ndryshe nga ç’jemi mësuar zakonisht ku mbizotërojnë dekoret e mëdha, çifti kishte preferuar minimalizmin, ngjyrat e pranverës dhe pastërtinë e detajeve ndaj nuk kishte si të organizonin një festë me shumë të ftuar.
Kjo mund të jetë e vështirë për t’u realizuar, por Iva zbuloi për “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan formulën ‘magjike’ të Marçela Latit për t’ia dalë edhe përzgjedhjes.
Iva Tiço: Kemi një festë të vogël, një festë që ështëpak e pazakontë për kushtet shqiptare, që të gjithë më thoshin nuk do të arrish ta bësh dot sepse janë 55, me gjithë ne dhe me 2-3 fëmijë të vegjël, bëhemi 60 vetë. Do të doja një dasmë të madhe që të mund të kënaqja të gjithë miqtë dhe gjithë njerëzit që unë kam, por nuk do të doja kurrë një dasmë që ta mbizotëroja unë. Ajo është dasma jonë, është festa jonë kështu që kemi ngelur në një rreth shumë të ngushtë. Pasi unë po vija vërdallë si ta bëj, si ta realizoj, Marçela tha është shumë e thjeshtë dhe ma rregulloi formulën. “Formula është që do të merrni vetëm njerëzit të cilët i frekuentoni të dy, që i keni frekuentuar këto 2-3 vitet e fundit vetëm të dy”.
Armand Peza shpjegon si u organizua festa në mënyrë që të kënaqeshin të gjithë të ftuarit.
Armand Peza: Fillimisht do të jepnim nga tradita jonë, do të përshtateshim nga tradita e gjermanëve të Soren-it dhe bëmë një miks të kulturës shqiptare me kulturën moderne. Ku ishte miksi? Po në numrin e të ftuarve. Iva vetë nuk donte që të kishim shumë të ftuar, Soren donte edhe më pak akoma dhe e çuditshmja është që vunë një kriter shumë të bukur dhe thanë ne do të ftojmë ata që unë dhe Soreni tha Iva, Iva dhe unë tha Soreni, frekuentojmë më së shumti./tvklan.al
“Swing Marathon” do vazhdojë deri në shinat e fundit
Ngjyrat e Buron Kacelit
Forma, ngjyra dhe aroma në qirinj për Pashkë
“Para perëndimit”, perëndim për qenien, zgjedhjet dhe veprat