Të ftuar:
Arlinda Dudaj – botuese
Loreta Berhami – botuese
Iva Tiço – gazetare
Gazetare: Agida Koçi
#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.
2 receta nga Znj. Vjollca
Supë me pashaqofte me mish pule
400 gr gjoks pule
2 vezë
1 fk oriz gjysmë i gatuar
2 lgj majdanoz
Kripë dhe piper i zi
Nenexhik
Kopër
500 gr kos
500 ml lëng pule
2 lgj miell
2 lgj lëng limoni
40 gr gjalpë
Grijmë mishin e pulës në robotin e qepës. Vendosim në tas mishin e pulës të grirë dhe shtojmë në tas orizin pak të gatuar, kripë dhe piper të zi. Shtojmë 2 të bardhat e vezëve(të verdhat i ruajmë për supën). Shtojmë 2 lugë gjelle majdanoz, 1 lugë gjelle nenexhik të thatë. Nëse dëshironi mund të shtoni 2 lugë gjelle qepë të grirë në rende. Punojmë brumin e qofteve deri sa të lidhet mirë. E mbulojmë me celefon dhe e lëmë të pushojë 30 minuta në fresk. Më pas formojmë qofte sa një arrë dhe i vendosim ato në një pjatë ku kemi shtruar pak miell.
Vendosim në zjarr 500-600 ml ujë, 1 kub magi pule ose lëng pule. Sapo lëngu të ziejë, shtojmë në tenxhere qoftet e pudrosura me miell. I lëmë të ziejnë 15-20 minuta. Ndërkohë në një tas përziejmë të verdhat e vezëve me 2 lgj lëng limoni. Shtojmë në të kosin dhe 1 lugë gjelle miell. I përziejmë mirë së bashku. Shtojmë pak nga pak lëng pule ose ujë. Më pas ulim temperaturën e zjarrit dhe përziejmë kosin me lëngun në tenxhere. Sa të marrë valë fikim zjarrin, e përvëlojmë me gjalpë, kopër ose majdanoz.
Spinaq me erëza dhe vezë
700 gr spinaq
2 thelpinj hudhra
1 qepë e thatë
4-5 qepë të njoma
3 lgj oriz
0,5 gota ujë
Kripë dhe piper i zi
Arrë moskat
Kopër
Majdanoz
Nenexhik
4 vezë
Vaj ulliri
Pastrojmë spinaqin dhe e lëmë të kullojë e më pas e presim trashë. Në një tigan ngrohim vajin e ullirit. E aromatizojmë atë me hudhra e më pas kaurdisim qepën e thatë, të grirë hollë sa të zbutet. Shtojmë qepët e njoma të grira në unaza. Shtojmë orizin dhe i përziejmë së bashku deri sa qepa e njomë të ulë volumin. Shtojmë pak ujë të nxehtë dhe lëmë qepën dhe orizin të gatuhen për 8 minuta. Shtojmë më pas spinaqin duar duar dhe duke e përzier me qëllim që të ulë volumin.
Vendosim kapakun për 2-3 minuta. Kur e shohim që ulet volumi, rregullojmë shijen me kripë e piper të zi dhe arrë moskat. I përziejmë dhe në fund shtojmë vezët syze. I spërkatim ato me pak kripë dhe piper të kuq. Vendosim kapakun dhe i lëmë të mpiksen në temperaturë mesatare nga avulli i spinaqit. E shërbejmë të ngrohtë.
Nëntori i librit, shumë flitet por sa e duam?
Një proces me shumë përfitime, si të afrojmë librin tek lexuesi?
Një ditar dhimbjeje e shprese, botuesja e habitur nga Elsa Lila: Është shumë modeste!
Panairi i Librit nisi më 13 nëntor duke hapur dyert për lexuesit me titujt e rinj dhe jo vetëm. Por veç librave, lexuesit kanë mundësinë të takojnë disa prej autorëve të tyre të preferuar, të shkëmbejnë mendime me ta e pse jo, të marrin një autograf për të ruajtur një kujtim.
Në mesin e autorëve të rinj që do të jenë këtë vit në panair, është edhe artistja Elsa Lila. “Mirë se erdhe në Rebibbia” titullohet libri i saj autobiografik që rrëfen dy muajt e qëndrimit në burg.
Botuesja Arlinda Dudaj shprehet në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se po, çdo fjalë e librit është shkruar nga Elsa dhe të ndihmon të reflektosh thellë.
Arlinda Dudaj: Unë pasi lexova librin e Elsës se më pyesin shpesh nëse e ka shkruar, e ka shkruar vetë nga fillimi dhe lotë e gjak i ka nxjerrë ajo.
Katerina Trungu: Gjithë përjetimet e saj.
Arlinda Dudaj: Gjithë përjetimet e saj i ka nxjerrë ajo në dy muaj që nga çasti që policia trokiti në derën e deri pasi doli, pikërisht këta dy muaj që ajo kaloi atje i ka treguar dhe i ka rrëfyer duke nxjerrë zemrën përjashta në këtë libër, i cili për mua ka shumë dhimbje, natyrisht ka shumë dhimbje por ka edhe këtë pjesën që thotë Loreta që në fakt është ky lloj binomi që jetojnë kaq shumë pranë njëra-tjetrës dhee çfarë kam përjetuar unë si njeri, nuk kam përjetuar dramën se drama është një gjë, nuk diskutohet, por më shumë kam reflektuar se si mund të ndodhë një gjë e tillë? Se si ti mund të bëhesh pre, të ngelesh befas… një artiste e madhe si… unë Elsën e kam njohur 15 vjeç, e kam njohur jo personalisht, e kam njohur me zërin e saj të jashtëzakonshëm. Në fakt ne kemi pasur, kemi qenë edhe komshie, po flas në një lagje por pa u njohur dhe nuk kam për ta harruar emocionin që kam ndier atëherë kur ishte 15 vjeçe se është i gjithë konteksti kohor.
Dudaj shton se libri i shkruar në formë ditari është një rrëfim nga ferri tek e qeshura, ka shumë dhimbje por edhe shpresë në të. Sa për ata që duan të takojnë Elsën, duket se do të jetë fare e thjeshtë pasi jo vetëm do të gjendet çdo ditë në panair, por është edhe shumë modeste.
Arlinda Dudaj: Elsa do të jetë çdo ditë dhe nuk kam parë një person më… se zakonisht kjo pjesa e divave, ne i shohim këta VIP-at që kanë këtë tangërllëkun që edhe duhet ta kenë dreqi ta hajë, s’po them gjë, por Elsa është nga ata njerëz që shkon dhe i flet çdo njeriu.