Panairi i Librit nisi më 13 nëntor duke hapur dyert për lexuesit me titujt e rinj dhe jo vetëm. Por veç librave, lexuesit kanë mundësinë të takojnë disa prej autorëve të tyre të preferuar, të shkëmbejnë mendime me ta e pse jo, të marrin një autograf për të ruajtur një kujtim.

Në mesin e autorëve të rinj që do të jenë këtë vit  në panair, është edhe artistja Elsa Lila. “Mirë se erdhe në Rebibbia” titullohet libri i saj autobiografik që rrëfen dy muajt e qëndrimit në burg.

Botuesja Arlinda Dudaj shprehet në “Shije  Shtëpie” në Tv Klan se po, çdo fjalë e librit është shkruar nga Elsa dhe të ndihmon të reflektosh thellë.

Arlinda Dudaj: Unë pasi lexova librin e Elsës se më pyesin shpesh nëse e ka shkruar, e ka shkruar vetë  nga fillimi dhe lotë e gjak i ka nxjerrë ajo.

Katerina Trungu: Gjithë përjetimet e saj.

Arlinda Dudaj: Gjithë përjetimet e saj i ka nxjerrë ajo në dy muaj që nga çasti që policia trokiti në derën e deri pasi doli, pikërisht këta dy muaj që ajo kaloi atje i ka treguar dhe i ka rrëfyer duke nxjerrë zemrën përjashta në këtë libër, i cili për mua ka shumë dhimbje, natyrisht ka shumë dhimbje por ka edhe këtë pjesën që thotë Loreta që në fakt është ky lloj binomi që jetojnë kaq shumë pranë njëra-tjetrës dhee çfarë kam përjetuar unë si njeri, nuk kam përjetuar dramën se drama është një gjë, nuk diskutohet, por më shumë kam reflektuar se si mund të ndodhë një gjë e tillë? Se si ti mund të bëhesh pre, të ngelesh befas… një artiste e madhe si… unë Elsën e kam njohur 15 vjeç, e kam njohur jo personalisht, e kam njohur me zërin e saj të jashtëzakonshëm. Në fakt ne kemi pasur, kemi qenë edhe komshie, po flas në një lagje por pa u njohur dhe nuk kam për ta harruar emocionin që kam ndier atëherë kur ishte 15 vjeçe se është i gjithë konteksti kohor.

Dudaj shton se libri i shkruar në formë ditari është një rrëfim nga ferri tek e qeshura, ka shumë dhimbje por edhe shpresë në të. Sa për ata që duan të takojnë Elsën, duket se do të jetë fare e thjeshtë pasi jo vetëm do të gjendet çdo ditë në panair, por është edhe shumë modeste.

Arlinda Dudaj: Elsa do të jetë çdo ditë dhe nuk kam parë një person më… se zakonisht kjo pjesa e divave, ne i shohim këta VIP-at që kanë këtë tangërllëkun që edhe duhet ta kenë dreqi ta hajë, s’po them gjë, por Elsa është nga ata njerëz që shkon dhe i flet çdo njeriu./tvklan.al