Kamala Harris është ngjitur në podiumin e Howard University në Uashington për të mbajtur fjalimin e saj.

Zëvendëspresidentja u prit me duartrokitje të shumta teksa u buzëqeshi mbështetësve të saj e shoqëruar nga kënga “Freedom” e Beyoncé që u kthye edhe në himnin e fushatës.

“Zemra ime sot është plot”, ishte nisja e fjalimit të Harris. “Plot mirënjohje për besimin që më keni dhënë, plot dashuri për vendin tonë dhe plot me vendosmëri”.

Ajo vijon duke thënë se rezultati i zgjedhjeve nuk ishte ai për të cilin kishte shpresuar e luftuar.

“Drita e Amerikës së premtuar do të ndriçojë përgjithnjë për sa kohë ne nuk dorëzohemi kurrë dhe sa kohë ne vazhdojmë të luftojmë”.

Harris falenderon familjen e saj, bashkëshortin që e thërret “Doug i dashur”, Jill dhe Joe Biden si dhe Tim Walz e familjen e tij. Ajo nuk harron as ekipin, vullnetarët, punonjësit e sondazheve dhe zyrtarët lokalë të zgjedhjeve.

“Jam shumë krenare për garën që bëmë dhe si e drejtuam”.

Kamala Harris u thotë mbështetësve se fushata e saj kishte qëllimin “të ndërtonte komunitete dhe koalicione” dhe është krenare për garën që ajo dhe ekipi bënë. Zëvendëspresidentja shprehet se ekipi i saj është i bashkuar në dashurinë ndaj Amerikës, entuziazmin dhe lumturinë në luftën për të ardhmen e vendit.

Harris shton se fushata u zhvillua me premisën se amerikanët kanë më shumë të përbashkëta sesa ndasi.

“E di se po mbështetësit po përjetojnë dhe ndiejnë një mori emocionesh tani. E kuptoj”, thotë Harris. Por ajo vijon se “ne duhet të pranojmë rezultatet e këtyre zgjedhjeve” ndërsa konfirmon se ka folur me Trump duke e uruar për fitoren.

Ajo deklaron se i ka thënë që do të ndjekin “një transferim të paqtë pushteti” dhe se ajo do të ndihmojë në këtë proces.

Një parim themelor i demokracisë është të pranosh rezultatin”, thotë Harris. “Kjo e dallon demokracinë nga tirania”.

“Në kombin tonë, ne nuk i betohemi për besnikëri një presidenti apo partie, por Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe besnikërinë ndërgjegjjes sonë dhe Zotit.  Besnikëria ime ndaj të treve është pse them që ndërsa pranoj këto zgjedhje, nuk pranoj luftën që furnizoi këtë fushatë”. Harris thotë se të luftuarit për “liri, mundësi, drejtësi dhe dinjitetin e njerëzve” përfaqëson “idealet që reflektojnë më së miri Amerikën”.

Zëvendëpresidentja shprehet se pavarësisht humbjes ndaj Trump, nuk do të ndalojë së luftuari për çështjet që ka lobuar. Ajo shton se puna nga pas do të vazhdojë dhe ekipi kërkon të luftojë në “mënyra më të qeta”.

“Lufta për vendin tonë ia vlen gjithnjë”, thotë Harris. Për të rinjtë e zhgënjyer, ajo kërkon një brohorimë nga turma duke u thënë “është në rregull që ndiheni të trishtuar dhe të zhëgnjyer, por dijeni se do të jetë në rregull”. Harris vijon se “ndonjëherë një luftë kërkon kohë, kjo s’do të thotë që s’do të fitojmë. Mos u dorëzoni. Ju keni pushtet”, u thotë të pranishmëve.

Në këtë linjë, ajo u shpreh: “Mos u dëshpëroni. Kjo nuk është koha të ngremë duart, kjo është koha për të përveshur mëngët”. Ajo deklaron se është koha për “t’u organizuar, mobilizuar dhe qëndruar të angazhuar për hir të lirisë dhe drejtësisë dhe lirisë që të gjithë e dimë se mund të ndërtojmë së bashku”.

Përmbyllja e mesazhit vjen me nota pozitive se “vetëm kur ka mjaftueshëm errësirë mund  të shihen yjet. E di që njerëzit ndihen se po hyjmë në kohëra të errëta. Uroj që mos të jetë rasti”. Ajo u bëri thirrje ndjekësve që “ta mbushin qiellin” me optimizëm.

Harris del nga skena përkrah bashkëshortit të saj, Doug Emhoff duke përshëndetur turmën nën tingujt e “Freedom” që e shoqëroi edhe gjatë hyrjes./tvklan.al