Mediat italiane kanë publikuar pamje të reja nga tragjedia e shembjes së urës në Xhenova. Kjo video e marrë nga kamerat e sigurisë tregon momentin para se këmbët e urës të bien. Në momentin e shembjes, zona mbulohet nga mjegulla e dendur.
Ndërsa një tjetër filmim inkuadron pamjen e urës nga një kënd më i afërt, ku trafiku vijon normalisht. Momenti i shembjes nuk është xhiruar për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Në pamjet e pak sekondave më vonë duken qartë rrënojat e urës së shkatërruar dhe njerëz që vrapojnë pranë saj.
Shembja e urës i mori jetën 43 personave mes të cilëve edhe dy të rinjve shqiptarë, Marjus Djerri dhe Admir Bokrina. Edhe sot, gati dy muaj pas tragjedisë hetuesit ende e kanë të paqartë cili ishte shkaku i shembjes së papritur të urës 51-vjeçare. Pas tragjedisë nën hetim janë vënë autoritetet lokale dhe kompania e menaxhimit të autostradave.
Tv Klan