Rreth 3 javë pas ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj, Policia e Shtetit njoftoi këtë të hënë arrestimin e Ruben Saraiva-s. 28-vjeçari portugez akuzohet se ishte personi i cili e ekzekutoi në lokalin e tij në Shëngjin, 51-vjeçarin Nikulaj më 19 Prill (Lexo më shumë). Në një njoftim zyrtar për mediat, policia thotë se ai u arrestua në Rabat të Marokut.
“Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj. Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez Ruben Saraiva, 28 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, thotë Policia e Shtetit.
Në njoftim thuhet po ashtu se po punohet me autoritetet marokene për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit. Po ashtu policia shton se vijon puna për kapjen edhe të britanikut Harry Simson, personi i fundit i akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e Nikulajt, që vijon të jetë në kërkim.
“Policia e Shtetit në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me autoritetet marokene, po punon për të bërë të mundur ekstradimin e 28-vjeçarit, drejt Shqipërisë. Ndërkohë, vijon intensivisht puna kërkimore në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen edhe të shtetasit të fundit të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje”, shton policia në njoftimin e saj.
Në ekzekutimin e biznesmenit Nikulaj policia thotë se morën pjesë 6 persona (Lexo më shumë).
10 ditë më parë, 4 prej tyre u arrestuan në Londër (Lexo më shumë). Ata janë shqiptari 37-vjeçar Edmond Haxhia dhe britanikët Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mithan, 35 vjeç, Harriet Bridgeman, 27 vjeçe.
Policia thotë se organizator i vrasjes së Nikulajt ishte shqiptari Haxhia, ndërsa 4 britanikët, së bashku me Simson që vijon të jetë në kërkim, kishin rolin e vëzhguesve. Sa i përket Saraivës, ai ishte personi që e qëlloi atë për vdekje.
Policia dyshon se ekzekutimi i biznesmenit Nikulaj është bërë për gjakmarrje. Oficerët e policisë po hetojnë mbi konfliktin 20 vjeçar që Nikulaj ka me fisin Lekstakaj. Përplasja për një 10 mijë lekësh, në një pikë karburanti, që përfundoi me bilanc tragjik me disa të vrarë (Lexo më shumë)./tvklan.al