32 delfinë kanë ngordhur prej rrjedhjes së naftës nga dy anije që transportonin lëndën djegëse gjatë një moti të stuhishëm rreth dy javë më parë në Rusinë jugore.
Derdhja ndodhi në ngushticën Kerch që ndan Krimenë nga Krasnodari.
Delfa Dolphin Rescue and Research Centre deklaroi se ngordhja e delfinëve “është më së shumti e lidhur me rrjedhjen e naftës”. Qendra shkroi në aplikacionin Telegram se 61 gjitarë ku përfshihen balena e delfinë janë raportuar të ngordhur pas katastrofës. Rreth 29 delfinë kishin ngordhur përpara derdhjes.
“Duke gjykuar nga gjendja e trupave, me gjasë pjesa më e madhe e tyre ka ngordhur në 10 ditët e para pas katastrofës. Tani deti vazhdon t’i nxjerrë në breg”, shprehet institucioni duke theksuar se delfinët i përkasin kryesisht një lloji të rrezikuar nga zhdukja, Azov.
Të shtunën, zyrtarët e caktuar nga Moska në Krime njoftuan një urgjencë rajonale pasi nafta u përhap rreth 250 kilometra në brigjet e Sevastopol, qytetit më të madh të Krimesë dhe një port i rëndësishëm në Detin e Zi.
Të dielën, autoritetet dhe vullnetarët pastruan rreth 96.000 ton rërë e dhe të kontaminuar nga vija bregdetare e Krasnodar, në distriktet Anapa dhe Temryuk.
Më herët, ministria kishte vlerësuar se deri në 200.000 tonë mund të jenë kontaminuar me një produkt të cilësisë së ulët që quhet mazut.
Presidenti rus Vladimir Putin e quajti rrjedhjen e naftës “një katastrofë ekologjike”.
Ngushtica Kerch është një rrugë e rëndësishme transporti ndërkombëtar që lidh detin Azov me Detin e Zi. Kjo hapësirë ujore është edhe një burim tensioni mes Rusisë e Ukrainës pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014./tvklan.al