Tirana zyrtare mendon se për arritjen e procesit të paqes në Ukrainë duhet të punohet paralelisht me procesin tjetër, atë të llogaridhënies për agresionin nga ana e Kremlinit.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, i pranishëm në konferencën e mbajtur në Hagë, “Rivendosja e Drejtësisë në Ukrainë”, deklaroi se shmangia nga ky detyrim është mesazh i gabuar për Vladimir Putin.

“Rusia duhet të mbajë përgjegjësi e të paguajë për vuajtjet e civilëve të pafajshëm dhe dëmet ekonomike në Ukrainë. Shmangia e Rusisë nga llogaridhënia është mesazh inkurajimi për diktatorët dhe regjimet, se rregullat dhe ligjet nderkombetare mund shkelen, pa pasur asnjë pasojë.”

Sipas Hasanit, krijimi i regjistrit të dëmeve të shkaktuara nga agresioni rus është një hap i rëndësishëm në krijimin e një mekanizmi ndërkombëtar kompensimi.

Duke artikuluar qëndrimin e qeverisë shqiptare, kryediplomati mbështeti përpjekjet e Këshillit të Evropës për të udhëhequr procesin e konfiskimit dhe përdorimin e aseteve ruse për rindërtimin e Ukrainës.

Tv Klan