Në konferencën e përbashkët me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin Marta Kos, kreu i qeverisë Edi Rama theksoi se Shqipëria e ka pritur me entuziazëm marrjen e këtij posti prej saj. Sipas Ramës, kjo lidhet me faktin se Kos është “më pranë nesh, se sa Brukselit”.


“Sqarova që shiu është bereqet dhe kam bindjen që do jetë një ogur i mirë për planin e ri të rritjes dhe disbursimin e fondeve shtesë për Shqipërinë. E nderuar komisionere dhe e dashur Marta, është kënaqësi që ju presim në Tiranë dhe qysh në fillim dua ta përsëris dhe publikisht që ne në rajon e kemi pritur me entuziazëm zgjedhjen tuaj sepse ju jeni edhe e BE-së, por edhe e jona.

Duke qenë nga një vend i rajonit i cili ka shkëlqyer në rrugën e vet, Sllovenia. Sidoqoftë, duke pasur gjakun më pranë nesh se sa pranë Brukselit shpresoj dhe jam i bindur në fakt, megjithëse ju nuk do e thoni këtu. Më vjen mirë që takohemi në një moment që ne kemi arsye të ndihemi krenarë për çfarë kemi bërë dhe ju të na mbështesni pa rezervë. Është mbështetja  e një institucioni të madh dhe shumë kërkues siç është Bashkimi Evropian, që duhet ta meritojmë çdo ditë, sepse ne duam të bëhemi pjesë e familjes së bashkuar europiane“, deklaroi Kryeministri.

I përsëriti ambicien që “Shqipëria 2030 të jetë pjesë zyrtare e Bashkimit Evropian”, duke e mbyllur me frazën: “E dashur Marta, ne duam lekët tona!”

/tvklan.al