Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat në Bashkimin Europian, Marta Kos do të zhvillojë një vizitë në Tiranë më 13 Mars.

Komisioni Europian ka bërë të ditur axhendën e saj. Kos pritet të takohet fillimisht me presidentin Bajram Begaj. Më pas do të takohet me kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Më vonë, eurokomisionerja Kos do të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Kolegji i Europës që ka të bëjë me zgjerimin në BE.

Dita e Kos në Tiranë do të mbyllet me takime në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo do të takojë kryeparlamentaren Elisa Spiropali. Nuk do të mungojnë takimet edhe në radhët e opozitës, pasi Kos do të takohet me nënkryetarin e parlamentit Agron Gjekmarkaj, kryetaren e Komisionit për Integrimin, Jorida Tabaku dhe kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.

Kujtojmë se në Konferencën e Sigurisë në Mynih në një panel për zgjerimin e BE-së, ajo tha se duhet përshpejtuar procesi i integrimit për vendet aspirantë./tvklan.al