Marta Kos, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së do të vizitojë Shqipërinë nga data 12 deri më 14 mars, duke shënuar vizitën e saj të parë zyrtare në këtë vend.
Kjo vizitë do të shërbejë si një rast për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi proçesin e anëtarësimit në BE, veçanërisht progresin në reformat themelore si ajo në drejtësi. Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të përcjellë rëndësinë e konsolidimit të arritjeve të deritanishme përmes rezultateve të mëtejshme të prekshme në reformat e kërkuara.
Ndër të tjera, Komisionerja do të takohet me kryeministrin Edi Rama, kryenegociatoren Majlinda Dhuka; me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali si dhe përfaqësues të opozitës. Ajo do të takohet me drejtuesit e institucioneve të pavarura të drejtësisë si dhe me ato nga organizatat e shoqërisë civile.
Komisionerja Kos do t’u drejtohet studentëve të Kolegjit të Evropës dhe Universitetit të Tiranës si dhe do të shkëmbejë pikpamje mbi rolin dhe angazhimin e të rinjve në politikën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Komisionerja Kos do të vizitojë edhe 3 projekte të financuara nga BE në Elbasan. Një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama është planifikuar për në 13 mars në orën 10:10.
/tvklan.al