Pas daljes nga monitorimi i plotë i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe kalimin në nivelin e dytë, atë të dialogut postmonitorimit është mbajtur sot në Tiranë për herë të parë mbledhja e Komisionit për Respektimin e Detyrimeve dhe Angazhimeve nga Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës.
Interesi i shfaqur përmes pyetjeve i eurodeputetëve preku disa hallka të qeverisjes në tre pushtetet. Një prej të cilave dhe reforma në drejtësi dhe rezultatet e arritura nga vettingu, proces që po përdoret si model dhe nga Moldavia. Në emër të qeverisë, ministri Balla foli me shifra konkrete për rezultatet e vettingut që përmbyllet në fund të këtij muaji.
“Nga rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë, afro 350 janë përjashtuar nga drejtësia pas procesit të vettingut. Reforma, përfshirë vettingun, ka treguar që janë të rëndësishme në rritjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë.”
Mes insititucioneve të reja të drejtësisë është dhe SPAK, kreu i të cilit raportoi gjatë pasdites mbi rezultatet e institucionit që drejton. Duke u ndalur tek lufta kundër korrupsionit, Dumani tha se në 5 vite Prokuroria e Posaçme numëron 150 mln Euro asete të sekuestruara dhe konfiskuara.
Kreu i SPAK kërkoi ndryshime ligjore për rritjen e pragut të vlerës monetare prej 500 Eurosh për veprat penale që lidhen me korrupsionin që hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
Tv Klan