Kryetarja e Kuvendit përshëndeti vendimin e Këshillit të Europës për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista e vendeve nën monitorim dhe vendosjen në proces post-monitorimi. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Spiropali renditi arsyet e marrjes së këtij vendimi pozitiv për Shqipërinë.

“Çështjet kryesore që kanë mbajtur Shqipërinë me status nën monitorim të plotë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, në mënyrë të përsëritur kanë qenë reformat gjithëpërfshirëse në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, reforma administrative-territoriale, ligji për mbrojtjen e pakicave, reforma zgjedhore, liria e medies, reforma në administratën publike,” tha Elisa Spiropali.

Përsa i përket procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, Spiropali theksoi se reformat po ecin me ritme të shpejta. Ajo theksoi se ky proces mund të përmbyllet brenda vitit 2030 dhe është një qëllim i arritshëm nga vendi ynë.

“Mobilizimi i të gjithë faktorëve politikë e shoqërorë, arritjet e deritanishme dhe vullneti ynë për të përshpejtuar ritmin e integrimit, na bëjnë të besojmë se anëtarësimi i Shqipërisë brenda vitit 2030 është sa ambicioz edhe një qëllim i arritshëm. Kuvendi do të vijojë të ecë me vendosmëri me çështjen e anëtarësimit për të garantuar legjitimitetin e demokracisë dhe karakterin gjithëpërfshirës,” tha Spiropali.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin theksoi se prioriteti i qeverisë është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Balla deklaroi se SPAK po jep rezultate konkrete.

“Reforma e gjyqësorit, përfshirë vettingun, kanë treguar që janë të rëndësishme në rritjen e integritetit, pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë. Institucionet si SPAK dhe BKH, janë krijuar dhe tashmë po japin rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit,” tha Taulant Balla.

Balla vlerësoi rolin e Këshillit të Europës në realizimin e reformave, veçanërisht në fushën e gjyqësorit, të drejtave të njeriut dhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit.

Klan News