Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm në formatin: Ukrainë – Evropa Juglindore i mbajtur në Kiev.

Ministrat e Jashtëm të vendeve të Evropës Juglindore dënuan edhe një herë agresionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë si dhe shprehën mbështetjen e plotë për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainë brenda kufijve të saj të njohura ndërkombëtarisht.

Ky takim është një ngjarje me rëndësi të veçantë për forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike dhe të sigurisë midis Ukrainës dhe shteteve të Evropës Juglindore dhe do të shërbejë si platformë për diskutime të thelluara mbi zhvillimet aktuale në rajon, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke në një periudhë sfiduese për Ukrainën dhe rajonin në përgjithësi.

Shqipëria, si mbështetëse e fuqishme e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, theksoi angazhimin e saj për paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajon.

Ky takim, i organizuar me nismën e Ukrainës, vjen në një moment kritik për Ukrainën, Evropën dhe më gjerë, pasi ai zhvillohet në sfondin e agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.

Kryediplomatët kanë për qëllim të diskutojnë për forcimin e bashkëpunimit politik ndërmjet Ukrainës dhe shteteve të Evropës Juglindore, me fokus në zhvillimet aktuale politike, ekonomike dhe të sigurisë në rajon.  

Kjo vizitë pune është një hap i rëndësishëm në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Ukrainës dhe do të kontribuojë në avancimin e marrëdhënieve të dyanshme, si dhe në forcimin e ndikimit të dy shteteve në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.

Klan News