Një aktivitet i veçantë që forcon lidhjet kulturore dhe arsimore mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë është zhvilluar sot në Vatikan, ku Papa Françesku ka zhvilluar një Audiencë të Përgjithshme para rreth 100 studentëve shqiptarë dhe akademikëve nga universitete të ndryshme të Shqipërisë dhe Italisë.
 
Të pranishëm në këtë Audiencë të Përgjithshme ishte edhe Ambasadorja e Shqipërisë në Vatikan, Majlinda Frangaj, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
 
Gjatë Audiencës së Përgjithshme, Papa Françesku vuri theksin tek rëndësia e vlerave humane dhe angazhimi i përbashkët në promovimin e paqes, drejtësisë dhe vëllazërisë. Pas Audiencës së Përgjithshme, Ati i Shenjtë Françesku përshëndeti ministrat shqiptarë me delegacionet, studentë dhe akademikët e pranishëm.

Pjesëmarrësit bënë gjithashtu edhe kalimin e Portës së Shenjtë, e cila hapet një herë në 50 vjet. Selia e Shenjtë e ka shpallur vitin 2025, si Vit Jubile. Sipas traditës biblike, Viti Jubilar është një vit i veçantë i faljes universale.
 
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani vlerësoi rolin që ka rinia si burimi më i madh i vendit për të tashmen dhe të ardhmen. 

“Historia na ofron një leksion të vyer: janë të suksesshëm e të begatë ata kombe që dinë t’i bashkojnë dhe jo t’i mbajnë larg, pa i shfrytëzuar, potencialet e tyre. Ajo që vlen theksuar është që, të gjithë ne, të jemi të vetëdijshëm se Shqipëria e vogël, veç pasurive të tjera, shpirtërore e materiale, ka edhe një thesar me një potencial të jashtëzakonshëm: rininë.” – teksa u bëri thirrje studentëve të aplikojnë në pozicionet e hapura në administratë publike.

Përsa i përket diasporës, Ministri Hasani nënvizoi gjithashtu se Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një sërë nismash për t’i dhënë një rol të ri dhe një fytyrë të re diasporës, duke e shndërruar në një faktor aktiv të zhvillimit kombëtar./tvklan.al