Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në një letër drejtuar Kryeprokurores Arta Marku, kërkon nisjen e hetimit disiplinor për prokurorin Arjan Ndoja, i cili pasditen e së premtes mbeti i plagosur në një atentat sëbashku me dy persona të tjerë.
Në letrën e saj KLP e cilëson këtë ngjarje të rëndë, si në radhët e magjistratëve, ashtu edhe për drejtësinë në vend. Duke iu referuar të dhënave paraprake dhe një prononcimi të vetë Ndojës në media, KLP thotë se rezulton që prokurori drejton prej kohësh një studio ligjore ku ofron konsulencë ligjore për çështje të ndryshme.
Sipas KLP, nëse ky fakt nëse do të rezultonte i vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore. Ndaj ky institucion kërkon nga Prokuroria e Përgjithshme nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoja, duke gjykuar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore.
Të dhënat paraprake të cilave u referohet KLP, kanë të bëjnë me disa dosje të gjetura në makinën ku udhëtonte Ndoji së bashku me shoferin e tij Aldo Maloku dhe Pëllumb Muharremin, ditën e atentatit ndaj tyre. /tvklan.al