Komisioni Evropian dhe disa shtete anëtare të Shengenit janë gati të propozojnë qendra të riatdhesimit të emigrantëve të jashtëligjshëm, të ngjashme me atë të Gjadrit në Shqipëri jashtë bllokut.

Plani parashikon dërgimin e menjëhershëm në kampe të ngritura në vende që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, të të gjithë të huajve të cilëve u refuzohet azili në vendet e unionit. Kthimi i tyre në vendet e origjinës të bëhet përmes këtyre kampeve.

Kjo ide u diskutua të enjten e kaluar gjatë një mbledhje jo formale në Varshavë nga Komisioneri i Emigracionit Magnus Brunner.

Propozimi i qendrave të kthimit u mirëprit dhe u përshkrua si një pengesë për emigracionin e parregullt nga “Austria, Bullgaria, Republika Çeke, Danimarka, Gjermania, Greqia, Italia, Letonia dhe Malta”.

Shtetet e tjera anëtare, si Portugalia dhe Spanja ngritën “dyshime” nga pikëpamja ligjore.

Pritet që Komisioni të parashtrojë në fund të këtij muaji edhe një ligj që mundëson këtë projekt. Ligji aktual i BE-së i ndalon autoritetet të dërgojnë emigrantë kundër dëshirës së tyre në vendet me të cilat ata nuk kanë lidhje.

Por presioni politik për të gjetur një zgjidhje për emigracionin e paligjshëm ka bërë që shumë shtete anëtare të kenë një qasje më të ashpër.

Klan News