Konservatorët e opozitës gjermane fituan zgjedhjet parlamentare, duke e vënë udhëheqësin Friedrich Merz në rrugën e duhur për të qenë kancelari i ardhshëm, ndërsa Alternativa e ekstremit të djathtë për Gjermaninë doli e dyta, rezultati i saj më i mirë ndonjëherë.
Pas një fushate të ashpër nga një seri sulmesh të dhunshme dhe ndërhyrje nga administrata e Presidentit të SHBA Donald Trump, blloku konservator CDU/CSU fitoi 28.5% të votave, e ndjekur nga AfD me 20%, tregoi një exit-poll i publikuar nga transmetuesi publik ZDF.
Social Demokratët (SPD) e kancelarit Olaf Scholz ranë në rezultatin e tyre më të keq që nga Lufta e Dytë Botërore, 16.5% të votave, minus rreth 9%, sipas ZDF-së. Të Gjelbrit arritën në 12% ndërsa FDP Partia e Lirë Demokratike, arriti rreth pragut 5% për të hyrë në parlament.
Friedrich Merz, i cili është në “pole position” për t’u bërë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, foli menjëherë pas daljes së exit polleve nga selia e partisë. Ai nënvizoi një “fushatë të mrekullueshme zgjedhore”, por foli edhe për “respektin e tij për kundërshtarët politikë”.
Friedrich Merz – kryetar i CDU-së: Tani do të negociojmë dhe është e rëndësishme të formojmë qeverinë sa më shpejt… Bota jashtë nuk na pret. Të gjithë në botë e shohin se Gjermania ka një qeveri të besueshme tek e cila mund të mbështeten. Sonte do të festojmë dhe nga nesër do të rifillojmë punën.
Ndërsa kancelari në largim, Olaf Scholz, duke folur para mbështetësve në Berlin, pranoi humbjen e zgjedhjeve.
Olaf Scholz – kreu i Social Demokratëve: Ne po luftojmë për demokracinë. Tani kemi të djathtën ekstreme – AfD – dhe fakti që morën një rezultat kaq të mirë zgjedhor është diçka që ne nuk mund ta pranojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë.
Rezultatet përgatisin skenën për bisedimet e zgjatura koalicioni dhe mund të prodhojnë një koalicion trepalësh. Politikani 69-vjeçari, nuk ka përvojë të mëparshme qeveritare, por ka premtuar të sigurojë udhëheqje më të madhe se Scholz dhe të lidhet më shumë me aleatët kryesorë duke e rikthyer Gjermaninë në zemër të Europës.
Këto negociata sigurisht që do të jenë të ndërlikuara pas një fushate që ekspozoi ndarjet e mprehta mbi migracionin dhe mënyrën se si do të veprohet me ekstremistët e AfD-së. Në këto kushte, kancelari Scholz mund të mbetet në një rol kujdestar për muaj të tërë, duke vonuar politikat e nevojshme urgjente për të ringjallur ekonominë më të madhe të Europës.
Tv Klan