Mbyllja e zyrave të cilësuara si struktura ilegale serbe në 10 komuna në Kosovë, ka shkaktuar reagimin e ndërkombëtarëve.
Ambasada amerikane në Kosovë tha se veprimet e qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë negativisht te qytetarët e Kosovës, serbët dhe komunitetet e tjera si dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik.
“Këto veprime që janë kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj”, tha ambasada amerikane.
Edhe Brukseli reagoi duke thënë se veprimet e Kosovës për mbylljen e strukturave të mbështetura nga Serbia, në një kohë fushate zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 Shkurtit – janë në kundërshtim me detyrimet e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit.
Por ky aksion i Policisë së Kosovës, sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë thotë se nuk është bërë me autorizimin e prokurorit të shtetit. Sipas komunikatës së prokurorisë, nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtyre aksioneve nga ana e institucioneve.
Aksioni solli dhe dështimin e takimit në Bruksel të Komisionit të Përbashkët për Gjetjen e të Zhdukurve. Kryenegociatori serb, Petar Petkoviç fajësoi Kryeminstrin Albin Kurti duke shtuar se po mimon dialogun.
Edhe ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriç tha se veprimet e bashkërenduara nga qeveria Kurti, shënojnë një përshkallëzim të rrezikshëm. Në një reagim në rrjetet sociale, Gjuriç tha se ato janë një përpjekje e hapur për të dëmtuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë.
Tv Klan