Në Kosovë ende nuk ka një konsensus politik për ta proceduar në kuvend ligjin për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Demarkacioni është marrëveshje ndërkombëtare e nënshkruar në vitin 2015 ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, dhe për ta ratifikuar atë duhet 80 vota nga 120 deputetë që ka parlamenti i Kosovës. Kryesia e kuvendit në një mbledhje të saj e shqyrtoi këtë pikë, por nuk e procedoi demarkacionin për në seancën, që zhvillohet ditën e enjte (08.02). Shtyrja e ratifikimit të ligjit për demarkacionin me Malin e Zi dhe mosprocedimi në seancë, ndodhi vetëm nje ditë para vizitës zyrtare në Kosovë të kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq. Ky i fundit para së të vijë në Kosovë ka deklaruar, se për Malin e Zi çështja e demarkacionit me Kosovën është temë e përfunduar për faktin, se Mali i Zi tashmë anëtar i NATO-os e ka ratifikuar marrëveshjen e kufirit me Kosovën e nënshkruar në vitin 2015. Kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mosprocedimin për votim në kuvend të marrëveshjes për demarkacionin e arsyetoi duke thënë, se “shtyrja e demarkacionit është bërë me qëllim që të arrihet konsensus nacional”.

 “Kërkuam me mirëkuptim që kjo pikë e rendit të ditës të jetë në një moment të caktuar kur do të jetë një vendimmarrje më serioze. Patëm unanimitet të vendimmarrjes në kryesi përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që insistoi të jetë në rend dite demarkacioni. Dua ta përçoj si mesazh, se po punojmë seriozisht që të arrijmë një zgjedhje të konsensusit nacional. Jemi duke lëvizur dalëngadalë, por sigurt dhe me një vendimmarrje në interes të shtetit. Jo Kuvendi të jetë teatër i aktrimit politik”,

tha Kadri Veseli.

 Vizita në Kosovë e kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markoviq, të enjten  (06.02) për kryetarin e parlamentit Kadri Veseli do të jetë një konfirmim i një partneriteti dhe marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

 Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, parti kjo e cila me këmbëngulje kërkon që parlamenti ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi, thotë se mosratfikimi i demarkacionit çdo ditë e me shumë po shkon në dëm të Kosovës.

 

“Shumica në kryesi vendosën ta shtyjnë çështjen e demarkacionit dhe nuk e caktuan kohën. Kjo është për keqardhje. E thamë në Kryesinë e Kuvendit dhe kemi kërkuar që kjo pikë të renditet në pikën e rendit të ditës për në seancën e së enjtes. Po bëhen tre vjet që kjo çështje nuk po mund të kalojë. Unë besoj që kështu nuk mund të vazhdohet më tutje, Kosovës i duhet një qeveri e re”

, tha shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti.

 Partitë politike parlamentare në Kosovë janë të ndara sa i përket demarkacionit me Malin e Zi. Madje brenda vet koalicionit qeverisës ka ndarje në këtë pikë. Është vet kryeminstri i Kosovës Ramush Haradinaj, që është kundër ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit nënshkruar nga qeveria e kaluar. Sipas Haradinajt, me atë marrëveshje Kosova humbet territor, pohim ky që kundërshtohet fuqishëm nga LDK-ja në opozitë dhe PDK-ja, partnerja kryesore e AAK-së në qeveri.

 Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, që vjen nga partia Nisma për Kosovën, ka thënë se ai është duke u angazhuar që të zgjidhet nyja politike lidhur me ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Sipas tij, marrëveshja Kosovë-Mal i Zi për demarkacionin lë hapësirë për të korrigjuar gabimet e mundshme që kanë mundur të ndodhin, por gjithsesi pa u cënuar marrëveshja ndërshtetërore.

 Sidoqoftë, Kosova këtë muaj shënon 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ndërkaq, çështjen e kufirit ka arritur ta zgjidhë vetëm me Maqedoninë dhe Shqipërinë, por jo edhe me Malin e Zi dhe Serbinë. Demarkacioni me Malin e Zi është kushti i parafundit i Komisionit Evropian që Kosova të përfshihet në lëvizjen e lirë në zonën Shengen. Në këtë linjë, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, u bëri thirrje deputetëve që ta ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi: “Kosova do të përballet me sfidat e tjera, por tash kemi momentin për liberalizimin e vizave. Kosovës i duhet qartësia. Për qartësinë në BE do të ndihmojë vendimmarrja e institucioneve të Kosovës gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme. Ratifikojeni demarkacionin në mënyrë që të prodhojmë argumente që të lehtësohet liberalizimi i vizave”, u shpreh presidenti Thaçi në një konferencë për mediat./DW