Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla, për 15 vite është përjashtuar nga sistemi i drejtësisë. Çka do të thotë se Balla e ka humbur statusin e magjistratit dhe nuk mund të bëhet as prokuror as gjyqtar dhe nuk mund të ushtrojë detyrën as në KLP, KLGJ dhe në të gjitha institucionet e reja të drejtësisë. Vendimi u dha nga Kolegji i Posaçëm i Apelit dhe ka formë të prerë.
KPA: Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr. 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, Inspektor i Lartë i Drejtësisë apo Prokuror i Përgjithshëm për një periudhë 15 vjeçare.
Vendimi u dha nga trupa gjykuese e përbërë nga Ina Rama kryesuese, Albana Shtylla relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtar. Balla u përball me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri më 31 korrik 2017 dhe sipas ligjit ai duhej t’i nënshtrohej procesit të vettingut.
Shkalla e parë e vettingut nuk mori një vendim përfundimtar për Alfred Ballën pasi nuk e cilësoi subjekt të ligjit të rivlersimit për shkak se ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në 2017. Por ky vendim u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili theksoi se Balla ishte subjekt i ligjit dhe duhet që për 15 vite të mos jetë pjesë e sistemit të drejtësisë. Në seancat e mëparshme Balla e ka cilësuar të padrejtë këtë pretendim të komisionerit pasi sipas tij ai ka dhënë dorëheqjen.
Alfred Balla u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në shkurt 2018 nga Kuvendi i Shqipërisë, si përfaqësues i shoqërisë civile. Kur u bë funksional institucioni ai mori postin e zv/kryetarit. Më 28 mars të vitit 2022 ai u zgjodh kryetar i këtij Këshilli, me një mandat 2-vjeçar, pasi mandati i mbaron në Dhjetor.
Klan News