Kryeministri Edi Rama këmbëngul se Erion Veliaj është i dyshuar dhe jo fajtor për akuzat e ngritura nga prokuroria. Gjatë përgjigjeve të dhëna për qytetarët në rrjetin social, ai tha se për kryebashkiakun, prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për të shkuar në gjyq.
“A e dini që kryetari i Bashkisë së Tiranës të cilit dje iu dha masa arrest me burg nuk është i pandehur? Pra, vetë prokurori nuk mendon që është gati të kërkojë hapjen e gjyqit sepse nuk i ka provat e mjaftueshme, por ka sipas tij, dyshime të mjaftueshme bazuar në një sërë provash të pamjaftueshme sipas tij, jo sipas meje. Statusi i Erion Velisë sot tregon pikërisht këtë”, tha Edi Rama.
Komentimi i drejtësisë për kryeministrin nuk është presion, por kërkesë për zbatimin e standardeve.
“Nëse nuk mbron Ramën në betejën e tij bashkë me Partinë Socialiste, harrojeni SPAK-un, nuk keni SPAK”, tha Rama.
Nje përgjigje e pati edhe për reagimet që pati KLGJ dhe KLP pas deklaratave të tij në Grupin Parlamentar socialist.
“Si mund të quhet ky sulm ndaj SPAK-ut, por trysni ndaj gjykatës që të ngresh një problem që është kaq parimor? Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të shqetësohet, jo të bëj korporatën atje dhe të çohet e të bëhet trysni, çfarë trysnie u bë? Juve merreni dhe shikoni a ka të vërtetë në ato që u thanë apo s’ka. Shqetësohuni a është e vërtetë ajo historia e asaj dosjes së atij gjykatësit, a janë të vërteta ato historitë e manovrimeve që si ka mundësi që dosjet bien po në kokë, këto merrni ju. Nëse s’janë të vërteta, dilni thonë s’janë të vërteta dhe unë i pari do të jem njeriu më i lumtur”, tha Rama.
Në vëmendje ktheu edhe dosjen e 21 Janarit kur tha se për atë çështje drejtësia nuk ka asnjë nxitim.
“Urgjencë e madhe për të paraburgosur kryetarin e bashkisë. Po pse s’ka urgjencë për 21 Janarin, mund të ma thoni? Pse s’ka urgjencë për 21 Janarin? Për një krim monstruoz. Janë vrarë katër njerëz dhe është e vërtetë, shumë e vërtetë. Do vinë ato familje këtu, çfarë t’iu them unë se si ndjehem? Çfarë duhet të bëj unë?”, tha Edi Rama.
Ironinë nuk e kurseu as për opozitën duke e etiketuar si një kënetë.
“Bufi i kënetës e thotë dhe në mënyrë deklarative, më jepni votën të shkrij SPAK-un. Dhe nuk besoj se i shkon njeriut mendja që SPAK-un, nëse nuk e garanton bashkë me të gjithë reformën në drejtësi., kjo kocka këtu dhe Partia Socialiste e Shqipërisë bashkë me mua. Nuk mund ta garantojnë ato gallgaqet rreth e rrotull kënetës të atyre partiçkave që kanë të re vetëm moshën e pronarit të tyre se gjë të re s’kanë. Se kanë të njëjtat metoda dhe të njëjtat sjellje si sjellja e bufit të kënetës, po janë si mbroklla të vogla”, tha Edi Rama.
Pas komunikimeve me qytetarët, Rama shkoi sërish në Bashkinë e Tiranës ku takoi shkurtimisht 5 nënkryetarët.
Klan News