Meridiana Dodaj një mjeke me origjinë shqiptare e cila jeton në Perugia të Italisë në një lidhje live në emisionin “Opinion” në Tv Klan, tregon jetën e saj në shtetin fqinj që nga viti 2004 kur u largua nga Shqipëria për të studiuar atje.

Dodaj pas studimeve në Itali ka zgjedhur që jetën e saj ta kalojë aty, ku është integruar plotësisht në komunitet. Ajo tregon se si gjatë viteve të studimit, por edhe tani që punon në fushën e mjekësisë nuk ka hasur në paragjykim për faktin që vjen nga Shqipëria.

Meridiana Dodaj: Kam ardhur këtu në vitin 2004, në universitetin e Mjekësisë në Perugia. Në vitin 2011 kam ikur në Romë kam bërë specializimin për mushkëri dhe në 2016 jam kthyer në Perugia ku punoj aktualisht në spitalin univeristar si mjeke specialiste në Pneumologji. Jam përgjegjëse e bronkoskopive, një procedurë që bëjmë këtu sa i përket tumoreve.

Blendi Fevziu: A vjen shpesh në Shqipëri?

Meridiana Dodaj: Po vij shpesh. Njëherë në vit ose dy herë në vit.

Blendi Fevziu: Ka komunitet shumë të madh në Perugia?

Meridiana Dodaj: Po ka goxha. Ka shumë shqiptarë që vijnë edhe në spital. Ka edhe shqiptarë që vijnë nga Shqipëria për të bërë diagnoza të ndryshme këtu. Jemi goxha.

Blendi Fevziu: Si është jeta aty në krahasim me jetën në Shqipëri?

Meridiana Dodaj: Jeta këtu është pak a shumë si në Shqipëri. Kemi një jetë më të qetë, por ka ndryshime dhe aq më tepër mjekësia është ndryshe. Kam provuar që të vij dhe atje, por përsëri këtu jam komplet e integruar. Kam edhe bashkëshortin që është mjek, është italian.

Blendi Fevziu: A e mendon ndonjëherë kthimin në Shqipëri?

Meridiana Dodaj: Kthimin në shqipëri, varet. Të vij me periudha mbase.

Ndërkohë sa i përket faktit të fluksit të italianëve në Shqipëri Dodaj shprehet se kjo është sepse bregdeti i Shqipërisë është shumë i bukur si dhe çmimet janë të favorshme.

“Ngaqë plazhet janë shumë të bukura, plus që është afër dhe çmimet janë më të arsyeshme”, shprehet Meridiana Dodaj./tvklan.al