Mesha e mesnatës së Krishtlindjes së këtij viti nisi me hapjen nga Papa Françesku të portës së shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, kalimi i së cilës simbolizon shpresën dhe faljen e mëkateve për besimtarët dhe shënon nisjen e vitit të shenjtë jubilar 2025 për Kishën Katolike.
Ndërsa në meshën e mesditës së Krishtlindjes, Ati i Shenjtë bëri thirrje për fundin e luftërave nëpër botë.
Papa Fançesku: Pushoftë zhurma e armëve në Ukrainë dhe u hapshin dyert e dialogut. Pushoftë zhurma e armëve edhe në Lindjen e Mesme. Kam në mendje të krishterët në Palestinë e Izrael, por veçanërisht ata në Gaza, ku duhet një armëpushim dhe të lirohen pengjet.
Mesazhe shprese dhe lutje për fundin e luftës në Rripin e Gazës u bënë në meshën e Kishës së Lindjes në Betlehem, qytetin ku mendohet se ka lindur Jezu Krishti. Ndërsa në Rripin e Gazës, pjesën tjetër të territorit palestinez, kishat janë shndërruar në strehimore për të pastrehët e mbetur nga lufta.
Në Damask, kjo ishte e para Krishtlindje në liri, pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit. Ndërsa në Sidnej të Australisë, banorët e festojnë Krishtlindjen në plazh me kostume banje të kuqe. Me kostume babagjyshësh bëhet sërf edhe në Florida.
Tv Klan