Ndërsa bëhemi gati për të pritur natën e ndërrimit të viteve, ndjekim traditat e trashëguara apo sjellim të reja. Në çdo cep të botës, fundviti rizgjon zakonet e mbartura nga historia dhe trashëgimia kulturore.
Disa janë pak të çuditshme, por teksa mendoni për gjelin e detit me përshesh, mund të lexoni sesi do të pritet Viti i Ri në disa prej shteteve të botës.
Rrjetë merimange – Ukrainë
Ne i zbukurojmë pemët e Krishtlindjeve me drita, yje, toptha, xixa e çfarëdo çikërrimash të tjera, por ukrainasit zgjedhin dekorime që duken si rrjeta merimangash të mbuluara nga vesa. Kjo traditë rrjedh nga legjenda e një vejushe që s’kishte para për të zbukuruar pemën për fëmijët e saj. Merimangave të shtëpisë u erdhi keq dhe endën rrjeta të bukura në pemë. Kur fëmijët u zgjuan mëngjesin e Krishtlindjes, gjetën pemën e zbukuruar. Rrjetat e merimangës konsiderohen fatsjellëse në Ukrainë.
Babagjyshi i lig – Austri
Shumë fëmijë e njohin Santa Klausin, por pak mund ta dinë për bashkëpunëtorin e tij të lig. Në Austri njihet edhe një personazh i frikshëm, “Krampus”. Kjo krijesë e tmerrshme endet rrugëve gjatë dhjetorit për të kërkuar fëmijët që janë sjellë keq. Këtë periudhë, në Austri mundtë shihni njerëz të maskuar që trembin fëmijët e të rriturit. Në Vjenë mbahet edhe parada e përvitshme e Krampusit.
Patina në meshë – Venezuelë
Në Caracas, Venezuelë njerëzit shkojnë në meshën e Krishtlindjes të veshur me patina. Kjo traditë është kaq e përhapur sa në shumë prej rrugëve të qytetit ndalohet qarkullimi i makinave që në orën 8 të mëngjesit. Thuhet se fëmijët flenë me një lidhëse të patinave qark gishtit të këmbës dhe patina tjetër varet nga dritarja. Kështu shokët e tyre mund t’i zgjojnë duke i tërhequr nga lidhësja.
Turshi në pemë – Gjermani
Në Gjermani është traditë që të vendoset një turshi brenda degëve të pemës. Më pas duhet t’i bësh dhuratë fëmijës që e gjen. Sipas një legjende, tradita mund të ketë filluar në Spanjë kur dy djem të vegjël u burgosën brenda një fuçie turshish. Shën Nikolas i shpëtoi dhe i riktheu në jetë.
Sauna – Finlandë
Për shtëpitë finlandeze, të pasurit e një saune është shumë e zakonshme. Për Krishtlindje, ajo kthehet në një vend të shenjtë që lidhet me paraardhësit. Në vigjiljen e Krishtlindjes, finlandezët zhvishen tërësisht dhe qëndrojnë gjatë në të e më pas shkojnë për të festuar. Thuhet se kur ata dalin, shpirtrat e paraardhësve zënë vendin e tyre në ujin që zien.
Këpucët pranë zjarrit – Hollandë
Fëmijët hollandezë i vendosin këpucët pranë zjarrit me shpresën se Sinterklaas do t’ua mbushë me dhurata të vogla dhe ëmbëlsira. Te këpucët lihen edhe karrota për kalin e tij besnik, Amerigo. Dikur, fëmijët e prapë merrnin një patate në vend të dhuratave por sot kjo nuk bëhet më.
Macja – Islandë
Thuhet se gjatë Krishtlindjes një mace e madhe endet në fshatrat me dëborë të Islandës. Në fillim, fermerët e përdornin për të trembur punëtorët. Ata që punonin shumë do të merrnin rroba të reja ndërsa të tjerët do t’i hante bisha gjigante. Sot është traditë në Islandë që të blihen rroba të reja për Krishtlindje që të shmanget zemërimi i maces.
Shtriga – Norvegji
Në përrallat e vjetra norvegjeze, vigjilja e Krishtlindjes është dita kur shpirtrat dhe shtrigat dalin në qiell për të bërë prapësira. Duke qenë se shtrigat përdorin fshesat, familjet norvegjeze i fshehn aty ku shtrigat mos t’i gjejnë.
Larva të skuqura – Afrika e Jugut
Ndërsa ne hamë gjel deti, përshesh, sallatë ruse e bakllava, në Afrikën e Jugut fëmijët mezi presin të hanë insekte. Larvat e skuqura duken të pazakonta, por këto nuk janë ato që gjenden në kopsht. Flutura Perandor e Pishës ose larva e Krishtlindjes ka ngjyra festive dhe besohet se u sjell fat atyre që e hanë.
Pema unike e Krishtlindjes – Zelanda e Re
Në Zelandën e Re pema tradicionale zëvendësohet nga Pōhutukawa, një pemë endemike. Rrënjët e ngatërruaradhe lulet në të kuqe të ndezur u regjistruan nga gjeologu austriak Ferdinand von Hochstetter më 1867. Ai përshkroi sesi vendasit zbukuronin kishat dhe shtëpitë me degët plot ngjyra. Sot Pōhutukawa është simbol i Krishtlindjes në Zelandën e Re dhe përdoret në kartolina, zbukurime si dhe këngë.
Dhi – Suedi
Tradita daton në shek. XI kur flitet për një dhi të madhe sa një njeri që udhëhiqej nga Shën Nikolasi dhe mund të kontrollonte djallin. Legjenda ndryshoi gjatë shekujve dhe në shek. XVII djaloshat visheshin si dhi, sajonin rrengje dhe kërkonin dhurata. Në shek. XIX, dhia u kthye në një dhuruese pasi burrat visheshin si dhi dhe u jepnin dhurata familjarëve.
/tvklan.al