Fshati Stropckë i Pogradecit ka tashmë një shkollë dhe një kopsht të ri. Këto godina janë rikonstruktuar falë një financimi prej 13 milionë lekësh të buxhetit të shtetit.

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në inaugurimin e tyre dhe tha se këto investime janë konfirmim i mbajtjes së premtimeve elektorale dhe vijnë në prag të një feste të madhe, siç e quajti Berisha 8 Dhjetorin.

Sali Berisha: “Ne inaugurojmë shkollën “Demokracia” këtu në Strockë në prag të 8 dhjetorit, ditës së bardhë, ditës së madhe, ditë e cila çeli për çdo shqiptar dyert  mbyllura të Evropës dhe Perëndimit. Në përpjekjen tonë pas 18 vitesh ne ia dolëm të mblidhemi në këtë shesh si vend anëtar i NATO-s. Ne ia dolëm të festojmë 8 dhjetorin si një vend që ka zhvilluar zgjedhjet të lira dhe të ndershme dhe kjo është arritje historike. Ne që shembën murin e Berlinit, që shembëm diktaturën më të egër në Evropë, ne iu rikthyem shqiptarëve votën, institucionin  e lirisë të saj, si zemrën e demokracisë shqiptare.”

Edhe në Pogradec, kreu i mazhorancës tha se përpjekjet e shqiptarëve për të qenë më pranë Evropës po pengohen nga aleanca punisto-mafioze, duke theksuar se kjo aleancë është e interesuar vetëm për pasurimin e saj kriminal.

Sali Berisha: “Kjo, të mendosh ne nuk na duhen të huajt sigurisht po të mos kesh familje dhe po të kesh kompleksin, frikën dhe tmerrin e familjes këtë deklaratë e bën lehtësisht, por po ti besosh familjes dhe vlerave të saj, një  deklaratë të tillë nuk mund të bësh kurrë. “Nuk na duhen të huajt, nuk na duhen ndërkombëtarët” nuk është motoja apo lajtmotivi i ndonjë shqiptari të vërtetë. “Nuk na duhen të huaj dhe nuk na duhen ndërkombëtarët” është motoja vetëm e aleancës punisto-mafioze, e cila nuk ka asnjë interes familjar, asnjë interes shoqëror, asnjë interes qytetar, përveç se pasurimit marramendës kriminal të saj.”

Inaugurimi i rikonstruksionit të shkollës dhe kopshtit të këtij fshati ishte pjesë e turit të kreut të qeverisë në rajonin juglindor. Gjatë takimeve me banorë të kësaj zone, Berisha u kërkoi atyre të marrin pjesë në festimet e 8 Dhjetorit, ditës së shembjes së diktaturës komuniste./tvklan.al