Reformimi i sistemit të ndihmës sociale në luftën kundër mjerimit ishte në qendër të takimit që kryeministri Berisha zhvilloi me disa ministra të kabinetit të tij dhe aktorë të tjerë të angazhuar në këtë çështje.
Për numrin një të qeverisë prioriteti i shpallur nga ekzekutivi i tij për katër vitet në vijim synon t’u vije në ndihmë të prekurve nga problemet ekonomike dhe urdhëroi ministrat përkatës që në skemën e hartuar nga qeveria të përhihen të gjitha detyrimet që familjeve në nevojë u lindin me shtetin dhe të cilave nuk kanë mundësinë t’u përgjigjen.
Sali Berisha: “Ndihma ekonomike duhet të përfshijë të gjitha detyrimet që u lindin në natyrë në marrëdhënie dhe su përgjigjen dot. Përmendëm shkollat, përmendëm bursën e fëmijëve, përmendëm librat. Nuk duhet të ketë më asnjë pengesë ekonomike për familjet e varfra për të shkolluar fëmijët e tyre. Jo, do ti marrim përsipër energjinë, në qoftë se ka tarifa të tjera që dihet që se përballon edhe ato t’ia marrim përsipër. Prapë se prapë ju garantoj se do na dal, do të çlirohen të paktën 30-40% të fondeve për të ndihmuar po zonat e varfra”.
Shpërndarja e fondeve dhe lufta kundër përfitimeve të padrejta ishin disa nga çështjet e trajtuara në takim. Për shefin e qeverisë një vëmendje e veçantë duhet ti kushtohet skemës dhe programeve të ndihmës ekonomike, rëndësisë së digjitalizimit të listës së personave që e përfitojnë atë dhe atyre me aftësi të kufizuar. Por sipas tij prioritet duhet të kenë dhe familjet e varfra kryesisht në zonat rurale, ku theksoi se fondet e çliruara nga rishikimi i skemës dhe shpërndarja më e drejtë e tyre duhet t’i shkojnë me përparësi këtyre zonave me varfëri të thellë.
Sali Berisha: “Në fshat ka me dhjetëra familje, me qindra familje edhe mund të jenë më shumë se qindra-mijëra që vërtetë nuk sigurojnë dot bukën çfarëdo që të bëjnë. Por edhe kushte nuk kanë që të gjitha që të prodhojnë gjëra të tjera për të ble bukën. Prandaj mendoj ne grurin t’ja siguroj mbi bazën e kritereve të caktuara. Mendoj që fondet e çliruara prapë t’jua përkushtojmë këtyre zonave, por të gjejmë mënyrën se si do t’jua përkushtojmë. Pra mund të shohim ta shtrijmë këtë sistemin e … në shumë detyrime kur ne e dimë që për gjërat bazë i jemi përgjigjur çdo familje shqiptare pavarësisht nga rrethanat e vështira e cila ajo ndodhet, i tëri do t’u mbetet komunave, zonave të varfra për të ndihmu luftën kundër varfërisë”.
Kryeministri nënvizoi faktin se kategoria e nënave me shumë fëmijë jetimë në mënyrë absolute ka një trajtim të papranueshëm dhe se duhet rishikuar se në cilat aspekte do i jepet ndihma kësaj kategorie, ndihmë që sipas shefit të qeverisë duhet të shtrihet më gjerësisht.
Duke u fokusuar në problemin e rëndë të abuzimeve, shpërdorimeve dhe informalitetit në sistemin e ndihmës sociale, Kryeministri Berisha dhe Ministri i Financave, zoti Bode veçuan faktin se janë gjetur këshilla ku të gjithë këshilltarët janë futur në ndihmë ekonomike duke e ndarë atë mes tyre, dukuri kjo që për kreun ekzekutivit sjell nevojën e kontrollit më të madh të skemës dhe bashkëpunimit të nëpunësve të ministrisë dhe komunitetit.
Sali Berisha: “Në komunë pra të gjithë këshilltarët ndajnë me vete ndihmën ekonomike. Kjo është gjëja më e pa pranueshme. Unë mendoj se ministria duhet të ketë agjentin e vet direkt përgjegjës, natyrisht si në bashkëpunim me komunitetin, por jo me kolegjialitetin që fusin letra. Të përcaktojmë kush do jetë skema”./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro