Kryeministri i vendit Edi Rama u gjend sërish para pyetjeve që kanë të bëjnë me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Ai ripërsëriti se nuk jep asnjë koment lidhur me procese hetimore apo çfarëdo lloj vendimmarrjeje të institucioneve të drejtësisë.
Megjithatë, e dha një koment për atë që ai e cilëson “gjyq publik ndaj Veliajt”.
“Përkohësisht di që Erion Veliajt i cenohet jeta e tij private nga një gjyq publik nga të gjithë ata që janë angazhuar në atë gjyq. I cenohet dinjiteti nga prokurorë gjykate të ulur në klube mediatike apo të fshehur në ekrane të portaleve, të socialeve, këtë e di me siguri. Ndërsa për pjesën tjetër, nuk bën përjashtim askush nga ajo që unë kam thënë që në fillim. Nuk bëj komente për çështje që u takojnë institucioneve të drejtësisë. Nëse ndryshon, do ketë një arsye shumë të fortë. Deri sot ky është qëndrimi im. Linçimi publik i kryetarit të bashkisë është i neveritshëm dhe kërkimi i gijotinës për të është skandaloz. Këto janë komente meqë më pyetet, por për më shumë s’kam çfarë them”, tha Rama.
“Asnjë përfaqësues i PS-së nuk është i lejuar të bëjë asnjë koment, ne procesin po e ndjekim me shumë kujdes”, nënvizoi ai.
Kujtojmë se kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj është thirrur në SPAK javën e shkuar, ku ka dëshmuar për rreth 4 orë. Më herët, agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontroll në banesën e tij.
/tvklan.al