Pas kërkesës për informacion nga Klan News, SPAK ka dhënë sqarime në lidhje me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. SPAK informon se ka regjistruar procedim, fillimisht për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëtor”.
Prokuroria e Posacme thotë se informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar me inicialet N.A.
SPAK deklaron se deri në këtë fazë të hetimit ka gjetur prova që lidhen me disa vepra të tjera penale.
SPAK: Nga provat e grumbulluara është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”.
Pas 5 orësh dëshmi në SPAK, Veliaj deklaroi nga mbledhja e Këshillit Bashkiak se është denoncuar nga shetasi Nesti Agoni, një njeri anonim që nuk ekziston.
Ai deklaroi se ndaj tij është ngritur një kurth dhe gjithçka është sajuar.
Klan News