Teksa po fliste për përballimin e situatës së pandemisë gjatë një interviste televizive, Kryeministrja e Zelandës së Re pati një të papritur mëngjesin e kësaj të hëne.

Teksa po u përgjigjej pyetjeve të gazetarit gjatë lidhjes direkte, një tërmet goditi Zelandën e Re. Pavarësisht lëkundjeve, Kryeministrja Jacinda Ardern qëndroi e qetë. Ajo ndërpreu intervistën për t’i thënë gazetarit që sapo ra një tërmet. Megjithatë, çdo gjë kaloi pa probleme.

Sipas të dhënave sizmiologjike, tërmeti ishte me magnitudë 5.6 me epiqendër 90 kilometra në veri të kryeqytetit të vendit. Lëkundjet që zgjatën gati 15 sekonda u ndjenë pothuajse në gjithë vendin, por nuk pati raportime për të lënduar apo dëme materiale.

Zelanda e Re goditet shpesh nga tërmetet pasi shtrihet në “Unazën e Zjarrit”, një zonë me aktivitet të lartë sizmik./tvklan.al