Ishulli i Santorinit në Greqi është përfshirë nga tërmete të njëpasnjëshme. Në 24 orët e fundit, janë shënuar mbi 200 tërmete. Aktiviteti sizmik është i përqendruar në det, por ka pasur impakt edhe në hapësirën tokësore me rrëshqitjen e dherave.
Sizmiologu Edmond Dushi informon në programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan se në Santorini ka aktivitet tektonik, por prej kohësh ka munguar dhe është grumbulluar energji. Në aspektin natyror ky është një fenomen i zakonshëm, por mund të jetë problematik nëse mungojnë masat e duhura.
Edmond Dushi: Ndodhet në një zonë shumë aktive në aspektin tektonik, janë dy pllaka të mëdha që është pllaka afrikane siç e themi gjithmonë…
Aldo: Që kalon edhe nga ne kam përshtypjen?
Edmond Dushi: Në fakt, pllaka e Egjeut ka kontakt me…
Aldo: Është tjetër pllakë kjo?
Edmond Dushi: Është tjetër pllakë, është mikropllakë dhe nëpërmjet kontaktik që ka Afrika me pllakën e Adriatikut të gjitha sforcimet kalojnë edhe në territorin e Shqipërisë si pjesë e Euroazisë, e pllakës më të madhe. Ne siç e thatë ju, për dreq jemi në atë pikën ku kalojnë të gjitha sforcimet tektonike si pjesë e kësaj lëvizjeje globale që është e natyrshme.
Aldo: Është një gjë normale… tani se kur thua normale për tërmetet, teknikisht është normale apo jo se kështu të hyn paniku.
Edmond Dushi: Patjetër, teknikisht është normale, edhe në aspektin natyror është krejt normale. Ajo që pastaj nuk është normale është fakti që nëse nuk jemi të përgatitur, mund të jemi para të papriturave. Përgatitjet nuk ndodhin sot për nesër, por bëhet fjalë për studimin e këtyre tërmeteve dhe masa gjatë gjithë kohës. Greqia ka një zhvillim të mirë në këtë aspekt duke qenë se bashkëjeton me tërmete të forta. Çdo vit ka tërmete me magnitudë 6 kështu që ata janë mësuar me këtë gjendje, kurse neve na bën përshtypje për faktin se ndodhin një çikë më rrallë.
Zona është vullkanike, por nuk ka shqetësim për një shpërthim. Fokusi është te magnituda e goditjeve nëse arrijnë në magnitudë 6 ose më shumë, por edhe kjo duket se s’ka gjasë.
Edmond Dushi: Ajo që është shqetësuese është fakti që mund të pasohet me një goditje më të fortë, kjo mund të jetë e natyrshme por nuk besoj se do të kalojë një prag mbi 6 ose edhe 6 nuk mund të arrijë duke nisur nga aktiviteti i deritanishëm, ka një zgjatje në kohë të këtyre tërmeteve që janë me magnitudë 4, 4.7, 4.8, sot ka pasur edhe 4.9, por që nuk ka një tendencë në këtë aspekt.
Sizmiologu e bën të qartë se sigurisht shkenca nuk e parashikon dot ende kur do të bien tërmetet saktësisht, por përmes aktivitetit sizmik grumbullohen të dhëna për të parë vijueshmërinë.
Edmond Dushi: Tashmë drejtimi është i parashkikuar. Është një thyerje tektonike shumë e qartë aty që kalon në jug të Santorinit dhe aktiviteti po përvijon, po afrohet edhe drejt ishullit. Ka pasur disa goditje në ishull, por natyrisht këto janë subjekt i rivlerësimit sepse duke qenë se ato bien shumë intensivisht, është gati e pamundur që në aspektin instrumental ne të ndajmë shumë shpejt ato tërmetet e vegjël nga tërmetet e mëdhenj dhe disa humbasin në momentin fillestar këështu që rikthehemi dhe marrim gjithë panoramën, shohim si përvijon ajo vija.
Pavarësisht gjendjes së tanishme, Dushi qartëson se Santorini nuk është një vend i pasigurt pasi ishulli është i njohur për praninë e tërmeteve./tvklan.al