Një breshëri tërmetesh kanë goditur ditët e fundit zonën detare mes Santorinit dhe Amorgos në Greqi. Sipas autoriteteve dridhjet janë të vazhdueshme dhe ndodhin çdo disa minuta.
Brenda tre orësh në mëngjes u regjistruan më shumë se 30 tërmete me magnitudë mbi 3 të shkallës Rihter, dhe për këtë arsye forcat e emergjencave janë dislokuar në ishull si masë paraprake dhe për çdo rast nevoje.
Autoritetet greke kanë këshilluar mbylljen e shkollave të hënën, shmangien e dy porteve të vogla dhe evitimin e grumbullimeve në hapësirat e brendshme, pas rritjes së aktivitetit sizmik në zonë gjatë ditëve të fundit.
Ministria e Mbrojtjes Civile tha se aktiviteti nuk ishte i lidhur me aktivitetin vullkanik të zonës. Profesori i Gjeofizikës Kostas Papazachos tha se sekuenca të tilla shpesh mund të rezultojnë në një tërmet më të fortë, por jo shumë të madh.
Klan News