Zhvillohet këtë të martë seanca për konstituimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Mbledhja e parë udhëhiqet nga deputetja më e moshuar e përbërjes parlamentare, Merita Kollçi Koxhaxhiku.
Në rendin e ditës, seanca plenare ka katër pika. Pasi të konstatohet kuorumi, zgjidhet përbërja e Komisionit Verifikues të Kuvendit, me propozimin e të cilit Kuvendi i verifikon mandatet e deputetëve. Në bazë të raportit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për zgjedhjet e 8 Majit, Komisioni Verifikues, dorëzon raport për çdo deputet dhe më pas i njëjti votohet.
Pas kësaj, deputetët do të zgjedhin përbërjen e Komisionit për Çështje Zgjedhjeve dhe Emërimeve. Në fund, deputetët do të zgjedhin kryetarin e Kuvendit. Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive mund të zgjasë më së shumti tre ditë, ndërkaq Kuvendi llogaritet i konstituuar me zgjedhjet e kryetarit të Kuvendit.
Por kush pritet ta marrë drejtimin e Kuvendit?
Detyrën në këtë post pritet që ta marrë Afrim Gashi. Ai dha dje dorëheqjen nga kryetari i Alternativës. Lideri i VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski tha se pret mbështetje që Afrim Gashi të bëhet kryetar i Kuvendit.
“Pres mbështetje nga të gjithë ata që kanë firmosur që Afrim Gashi të jetë kryetar i Kuvendit”, tha Mickoski, siç raporton Klan Macedonia.
Në lidhje me këtë çështje është pyetur edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, por ai nuk iu përgjigj gazetarit nëse do ta votojë Gashin për kryetar të parlamentit.
Rijad Shaqiri nga koalicioni VLEN, tha se Fronti Europiuan e ka detyrim moral që ta përkrahë Afrim Gashin për kryetar të Kuvendit. Sipas tij, kur ishte në opozitë është mbështetur kandidatura e Talat Xhaferit për kryetar kuvendi./tvklan.al