Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny u ndalua menjëherë sapo mbërriti me avion në Moskë, 5 muaj pasi i shpëtoi vdekjes nga helmimi vitin e shkuar. 44-vjeçari, sipas asaj që shkruan BBC, u pa teksa u shoqërua nga oficerët e policisë nga kontrolli i pasaportave. Fluturimi i tij nga Berlini u ndryshua drejt një aeroporti tjetër të Moskës, për shkak të grumbullimit të një turme.
Aktivisti thotë se pas tentativës për ta vrarë fshihen autoritetet ruse, një akuzë që mbështetet nga gazetarët investigative, por mohohet nga Kremlini. “E di që kam të drejtë. Nuk i druhem asgjëje”, i tha Navalny mbështetësve të tij dhe medias në aeroportin Sheremetyevo të Moskës, pak minuta përpara se të shoqërohej. Ai shtoi gjithashtu se të gjitha akuzat ndaj tij janë të stisura.
Më herët gjatë kësaj të diele, brenda aeroportit të Vnukovo në Moskë, aty ku pritej të zbriste fillimisht avioni i opozitarit, u vendosën barriera metalike dhe mediat ruse raportuan për ndalimin nga policia të disa aktivistëve, përfshirë aleatit kryesor të Navalny-t, Lyubov Sobol.
44-vjeçari, i cili mori trajtim mjekësor në Gjermani pas helmimit, u bëri thirrje në rrjetet sociale aktivistëve që ta prisnin në aeroport. Me mijëra thanë se do të shkonin dhe shprehën interes, pavarësisht temperaturave ekstreme dhe gjendjes së pandemisë.
Navalny po udhëtonte me avion në Siberi Gushtin e shkuar, kur ra përtokë dhe më vonë u zbulua se ishte helmuar me agjentin nervor të njohur si Novichok. Autoritetet ruse kanë mohuar në mënyrë të vazhdueshme çdolloj roli në helmimin e tij dhe Kremlini i ka hedhur poshtë akuzat e Navalny-t se vrasjen e tij e kishte urdhëruar vetë Presidenti Vladimir Putin.
Navalny deklaroi se i mungonte Moska, se është thuajse plotësisht i shëruar nga sulmi dhe se nuk kishte asnjëherë asnjëlloj dyshimi se do të rikthehej.
Autoritetet ruse kishin paralajmëruar më herët se 44-vjeçari përballej me burgun, pas e akuzojnë se ka shkelur termat e lirisë me kusht në Dhjetor, për dënimin e dhënë ndaj tij në 2014-n për akuzën e mashtrimit./tvklan.al