Zona të tëra në Kosovë janë duke u përballur prej Dhjetorit me mungesë të energjisë elektrike. Në qytetet e mëdha, kufizimet shkojnë në disa orë në këto ditë të ftohta dimri. Problemet i pranoi edhe vetë Kryeministri Albin Kurti në mesazhin e tij të fundvitit duke ia faturuar rritjes së konsumit.
“Problemi me furnizim me energji elektrike, me të cilin jemi ballafaquar ditëve të fundit, nuk është rezultat i mungesës së rrymës, por i konsumit të lartë të energjisë që po e sfidon rrjetin e transmisionit, në të cilin me vite e dekada të tëra nuk është investuar sa duhet”, u shpreh Kryeministri Kurti.
Por problemet kanë vijuar edhe në ditët e para të Janarit dhe për opozitën shkak është keqmanxhimi i situatës nga ana e qeverisë.
“Këta nuk kanë pasur një agjendë përveç shitblerjes, nuk kanë pasur një agjendë të stabilizimit të gjenerimit të energjisë, as të arritjes së objektivave te energjia e ripërtritshme. Këta nuk kanë marrë asnjë hap as te remonti i termocentraleve aktuale që janë, e lëre më të kenë me pasur asnjë agjendë për gjenerim të energjisë së re”, tha deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.
Problemet me furnizimin me energji elektrike janë përkeqësuar edhe për shkak të motit të keq dhe difekteve.
Tv Klan