Minxhozi: Rama dhe Kurti mbajnë kontakte të vazhdueshme
Kryetarja e Parlamentit të Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurtit vizitat e para jashtë shtetit pritet t’i realizojnë në Shqipëri.
Ndonëse ende nuk e kishte marrë pushtetit, Albin Kurti ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Këtë e konfirmon për Tv Klan ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi.
Sipas tij, ata kanë plane bashkëpunimi, madje edhe vizita e parë e Kurtit jashtë vendit do të jetë në Shqipëri.
“Të jeni të bindur që ai (Kurti) ka plane edhe për bashkëpunimin me Shqipërinë. Bashkëpunimi do të vazhdojë me ambicie të reja në mënyrë që të realizojmë të gjitha ato pritshmëritë që janë në Kosovë dhe Shqipëri”.
Edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani vizitën e parë jashtë vendit do ta realizojë në Shqipëri. Ajo ka pritur në zyrat e saj ambasadorin Minxhozi.
“Pas një bashkëpunimi të gjatë kishim mundësinë që të diskutojmë për bashkëpunimin ekonomik e deri te avancimi i diplomacive ndërkombëtare”, shprehet kryeparlamentarja Osmani.
“Unë jam besimplotë se ky bashkëpunim do të jetë i vazhdueshëm dhe fuqiplotë”, thotë ambasadori Minxhozi.
Sikurse Osmani, edhe Kurti gjatë ditës kanë pritur ambasadorë të vendeve të ndryshme të akredituar në Kosovë, të cilët i kanë uruar për postet e reja të tyre.
Tv Klan