Përkundër pretendimeve të opozitës se ekonomia e Kosovës po vuan politikat e gabuara dhe sanksionet e ndërkombëtarëve, kryeministri Albin Kurti thotë se përgjatë tri viteve të qeverisjes së tij, ekonomia është rritur për 33 për qind.
“Në njërën anë, ekonomia e Kosovës përkatësisht Bruto Produkti Vendor është rritur për 33 për qind, ndërkaq buxheti i shtetit është rritur për 35 për qind. Të hyrat tatimore sivjet janë gati 40 për qind më të larta se sa në vitin 2021. Eksportet janë dyfishuar, ndërsa investimet e huaja më shumë se dyfishuar. Në anën tjetër kemi shpërndarë 1.3 miliard euro tek qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, me ç’rast Banka Botërore ka konstatuar se Kosova kishte pakon mbështetëse më të madhe në Ballkan”, tha Kurti.
Ndaj nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ai theksoi se për të gjitha këto arritje edhe mbështetja për forcën që ai drejton mbetet sërish e madhe.
“Të gjitha partitë fillojnë nga pika zero dhe duhet punuar për të arritur numrin e votave që VV kishte marrë në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, e ndoshta edhe më shumë në zgjedhje që do të shkojmë”.
Sipas Kurtit, Vetëvendosja synon që në zgjedhjet e 9 Shkurtit të arrijë të marrë gjysmë milioni vota.
Tv Klan