Albin Kurti shpalli fitoren e Vetëvendosjes që me natë, sapo rezultatet e zgjedhjeve të së dielës nisën të qartësoheshin.

“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve”.

Para mediave shprehu bindjen se do të vazhdojë të jetë kryeministër.

“Ky është një konfirmim për qeverisjen tonë të mirë e të mbarë demokratike e progresiste. Koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re, pra Kurti 3”.

Shifrat tregojnë se partia e tij është shumë larg 61 mandateve të nevojshme për formimin e qeverisë, ndaj dhe do t’i duhet të nisë bisedimet për një koalicion pas zgjedhor. Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është i pari që përjashtoi bashkëpunimin me Kurtin.

“Unë kam qenë i drejtpërdrejtë si ndaj mashtruesit që udhëheq Kosovën, si ndaj qeverisë mashtruese. Është në nderin tim të ndihmoj një qeveri të opozitës, asesi me Vetëvendosjen”.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, më e madhja e opozitës në këto zgjedhje, mohoi mundësinë e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen.

“Vetëvendosja ka humbur një numër të madh të votave. Shumë qytetarë që e kishin votuar tash ia kanë kthyer shpinën. Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Vetëvendosjen”.

Vështirë, Vetëvendosja do e ketë edhe për të siguruar mbështetje nga deputetët serbë, pasi Lista Serbe ka siguruar të 10 mandatet që i takojnë këtij komuniteti. Një mesazh për Kurtin e dha edhe Aleksandër Vuçiç.

“Kam frikë tani se atij i duhet të shqetësohet për veten dhe qëndrimin në pushtet”.

Vetëvendosjes mund të mos i bëjnë punë 10 deputetët që mbeten nga minoritetet e tjerë.

Tv Klan