Ka nisur me debate seanca e kësaj pasditeje në Kuvend, pas tensioneve të paradites. Ka qenë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ai që ka debatuar me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, pasi sipas tij në sallë duhet të ishin të gjitha mediat.

Pasi nisi të flasë nga foltorja, kreu i demokratëvë vendosi të largohet, pasi sipas tij, nuk janë të gjithë mediat në sallë.

Basha:

Fut mediat në sallë dhe rifilloje kohën nga fillimi. Rama është përpjekur që dhe në Kuvend të fusë regjinë qendrore, nuk mund të ketë regji qëndrore, Kuvendi duhet të jetë i hapur për të gjitha mediat këtë nuk e vendos Edi Rama, prandaj lejoni të gjithë mediat të kthehen në Kuvend. Nëse ju duhet kohë merrni kohën e duhur.

Më pas ndërhyen kryetari i Kuvendit, Gramoz Rucci, i cili i bën me dije Bashës, se të gjithë mediat që duan, janë të pranishme në sallë dhe dera është e hapur për të gjitha.

Ruçi:

S’ka Kuvend në botë që të mos jetë me regji qëndrore. Meqë keni qenë dhe në perëndim, e dini shumë mirë që s’ka Kuvend që të mos ketë regji qëndrorë. Janë të lutur të vijë kush të dojë janë të hapura dyert.

Basha:

Është e vërtetë që parlamenti të ketë regji qëndrore, por nuk ka parlament në botë që të ketë në radhët e tij 19 kriminele, siç kishte ky përpara se miratohej ligji për dekrimializmin. Nuk ka parlament që të pranojë kapjen e medias duke i vënë vulën dhe me regjinë qëndrore.

Ruçi :

Të gjitha mediat janë prezent në parlament, të gjitha ato janë njoftuar që në orën 12: 00 kur u shty seanca.

Por nuk ka munguar dhe ndërhyrja e deputetit demokrat, Sali Berisha, i cili kërkoi që në sallë  të ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama.

Berisha:

Kushtetua e vendit dhe parlamentit ka një detyrim, kur është fjala për buxhetin duhet të jetë këtu ai që është kryetar ekzekutiv, prandaj thirre këtu urgjent, nuk mund ta përfaqësojë askush të vijë këtu, se ka shkelje të rëndë të ligjit dhe të rregullave.

Ruçi: Është dekreti për buxhetin dhe jo buxheti.

Berisha:

Jeni ju kryetar apo Sadri Abazi kryetar që bën si çakall?

Mëngjesin e së enjtes, gjatë kohë që kryeministri Rama po fliste në Kuvend, demokrati Endri Hasa e goditi me vezë. Ky veprim i kushtoi Hasës 10 ditë përjashtim nga seanca plenare dhe komisionet parlamentare./tvklan.al