SPAK në pritje të përgjigjeve të letërporosive
4 muaj pas finalizimit të operacionit antidrogë në Frakull të Fierit, ku u zbulua një laborator përpunimi droge, dhe u sekuestruan 485 kg kokainë, policia ende nuk ka mundur të arrestojë kolumbianin, Zamir Rodriguez. Sipas SPAK, ky i fundit kishte mbërritur në Shqipëri për ndarjen e kokainës nga plehu kimik.
Burime bëjnë me dije se kolumbiani me profesion kimist, i ka shpëtuar arrestimit nga policia vetëm disa orë përpara se SPAK të urdhëronte ndërhyrjen në laboratorin e përshtatur më 24 Nëntor.
Gjatë arratisjes, kolumbiani mësohet se nuk i është ndalur një patrulle policie në zonën e Lushnjës, e më pas ka vijuar rrugën në drejtim të Durrësit, e më tej në Vorë ku ka humbur gjurmët.
Hetimet e zhvilluara deri në këtë fazë kanë shtuar dyshimet e hetuesve se ai është larguar ilegalisht nga territori shqiptar.
Për lokalizimin e tij, si dhe të dhëna të tjera lidhur me porosinë e ngarkesës prej 485 kg kokainë, Prokuroria e Posaçme ka dërguar letër porosi në Kolumbi e Mal të Zi nga erdhi ngarkesa, por ndonëse kanë kaluar rreth 4 muaj ende nuk ka një përgjigje nga këto shtete.
Laboratori i drogës ishte ndërtuar në një banesë në Frakull, në pronësi të ish- kryekomunarit, Viktor Cervanaku, i cili u arrestua nga policia së bashku me 9 persona të tjerë.
Tv Klan