Kryeministri Edi Rama së bashku me ministren Ogerta Manastirliu, inspektuan punimet e Kampusit të ri të Fakultetit të Studimeve Profesionale në Durrës.

Kryeministri Rama u shpreh se në fokus do të jenë edhe shtimi i rezidencave studentore.

“E kemi diskutu që të ndërtojmë një program të veçantë për të bërë rezidencat e studentëve sepse është shumë më mirë ti bëjë qeveria në bashkëpunim me bashkinë edhe natyrisht me një qira që është shumë më modeste sesa qiraja që detyrohen të marrin në treg”, u shpreh Edi Rama.

Sipas ministres së Arsimit, Kampusi Universitar në Durrës ofron kapacitete më të mëdha dhe bashkëkohore për të rinjtë.

“Fakulteti do të ketë 30 auditore, 15 laboratorë të shkencave teknike duke përfshirë këtu laboratorë të mekanikës, të navigacionit, të shkencave mjekësore teknike sepse janë të gjitha të kombinuara dhe gjithashtu do të ketë dhe ambientet rekreative për studentët. Janë planifikuar jo vetëm fushat sportive por edhe një pishinë”, tha Manastirliu.   

3 godinat e reja të këtij kampusi universitar do të ofrojnë shërbime për 1,700 studentë.

Gjithashtu, Kryeministri Rama pa nga afër edhe punimet në kantierin e dy unazave në qytetin bregdetar, të cilat synojnë lehtësimin e trafikut.

Gjatë inspektimeve në Durrës, ndalesën e radhës Kryeministri Rama e pati në Lungomaren e re që shtrihet nga ura e Dajlanit deri tek godina e Kavalishencës.

“Plazhin do ta zgjerojmë duke marrë det 100 metra dhe do të kemi një plazh të jashtëzakonshëm dhe e gjithë ajo ngrënia që iu bë plazhit me katrahurën e viteve të lirisë, demokracisë edhe çmendurisë do të mbetet në histori”, tha kreu i qeverisë.

Ky investim në Durrës pritet ti japë edhe më shumë vlerë shtëpive, hoteleve dhe njësive të shërbimit.

Klan News