Kryeministri i vendit Edi Rama ka mbajtur fjalën e tij në eventin e titulluar “Tirana, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025”.
Mes të tjerash gjatë fjalës së tij Rama tha se rrugët e Tiranës dëshmojnë transformimin e madh që ka pësuar kryeqytetit gjatë këtyre viteve. Zgjedhja e Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, sipas Ramës është një vlerësim që shkon përtej kryeqytetit, por është një vlerësim për vendin. Kreu i qeverisë mes të tjerash u ndal edhe tek harmonia fetare në vendin tonë.
“Doja ta nis duke iu referuar një shprehje të Eqerem Qabej që thotë se nëse do të njohësh një komb ec në rrugicat e atij qyteti. Sot nuk është e lehtë të ecësh në rrugica për shkak të një transformimi, edhe pse në rastin e Tiranës krahasimi me të kaluraën është jo i vështirë për të treguar se sa larg dhe sa lart jemi ngjitur sepse Tirana është një kryeqytet shumë i ri dhe me histori shumë herë e më pak të pasur se sa historia e kryeqyteteve rreth nesh. Megjithatë sot rrugët e Tiranës janë dëshmitarë të një transformimi të jashtëzakonshëm dhe fakti që Tirana për të katërtin vit me rradhë zgjidhet si një nga kryeqytetet ku diçka i mbetet ta mbajë në formën e një pishtari ndezur. Këtë vit, zgjedhja si kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, do të thotë se këtë transformim nuk e shohim vetëm ne që duam ta shohim, por edhe ata që nuk duan ta shohin. Gjithmonë e më shumë respektojnë dhe admirojnë se sa shumë kemi arritur të bëjmë, duke pasur parasysh se kur dolëm nga errësira e thellë ishim shumë më mbrapa nga të gjithë ata të tjerët që sot përpiqemi të afrohemi dhe më pas të krahasohemi.
Është një moment që shkon përtej Tiranës si një vlerësim për ne ku harmonia fetare është në sytë e të gjithëve dhe është kaq domethënëse në kohën e sotme ku ka mungesë harmonie, saqë Papa Françesku e pagëzoi si vëllazëri fetare”, shprehet Rama.
Gjatë fjalës së tij Rama zbuloi edhe një konkurs që pritet të lançohet së shpejti që ka të bëjë me atë që ai e quajti parku i madh i besimit.
“Fakti që ne e kemi përqafuar këtë diversitet na bën edhe tërheqës dhe do të na bëjë gjithmonë e më shumë tërheqës dhe gjithmonë e më shumë do të na jap mundësinë që ne të jemi një urë e Mesdheut. Të jemi një pikë referimi për mbrojtjen dhe promovimin e kulturës së diversitetit dhe të harmonisë jo vetëm mes besimeve fetare, por edhe më shumë e kaq.
Ky vit është një shanc për ta forcuar më tej këtë mesazh dhe më vjen mirë që së shpejti ne do të lançojmë një tjetër konkurs ndërkombëtar që e kemi konceptuar së bashku me Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Mohamed bin Zayed Al Nahyan që është konkursi për një park të madh të besimit. Është një ide që është tanimë e kahershme, por i ka ardhur koha për tu realizuar dhe falë bashkëpunimit me Presidentin dhe qeverinë e Emirateve të Bashkuara ne do ta nisim me këtë konkurs. Kemi përcaktuar edhe territorin që do të jetë diku në periferi të Tiranës. Një park i madh që do të jetë një hapësirë për të gjithë besimtarë ose jo dhe do të referojë përmes natyrës, përmes luleve, bimëve, frutave e pemëve ato që janë burimet e besimeve të ndryshme.
Do të jetë një park ku vizitorët do të gjejnë të gjitha bimët, lulet, frutat apo perimet që përmenden në librat e shenjtë dhe aty mund të shohin se sa shumë janë gjërat që tregojnë se në fund të ditës mund t’i vëmë zotit emra të ndryshëm, mund të zgjedhim të besojmë apo mosbesojmë në një zot të caktuar me një emër të caktuar, por jemi të gjithë fëmijë të të njëjtit univers dhe të gjitha ato që na ndajnë mes veti janë prodhimi ynë dhe nuk janë një zgjedhje apo aq më pak një ndëshkim që na vjen nga lart apo nga natyra”, thekson Rama./tvklan.al