Mjalti dhe ilaçet pa recetë duhet të jenë trajtimet e para për shumicën e personave që janë të prekur nga kolla. Antibiotikët për kollën rrallëherë duhet të merren me recetë nga mjeku, sepse në shumicën e rasteve ato ndikojnë shumë pak për të përmirësuar simptomat, thonë ekspertët e shëndetësisë.
Në shumicën e rasteve, kolla përmirësohet natyrshëm brenda dy ose tre javëve. Rekomandimet e reja nga mjekët synojnë të ndihmojnë në trajtimin e problemit të rezistencës ndaj antibiotikëve, shkruan BBC. Përdorimi i tepërt i antibiotikëve po e bën infeksionin më të vështirë për t’u trajtuar, duke krijuar baktere rezistente ndaj barnave.
Një pije e ngrohtë me mjaltë, e shoqëruar me limon dhe xhenxhefil është një trajtim natyral për kollën dhe dhimbjen e fytit gjithashtu. Tashmë udhëzimet e reja të propozuara nga Instituti Kombëtar për Shëndetin dhe Përkujdesjen në Angli, thonë se ka disa prova që vërtetojnë se mjalti ndihmon në përmirësimin e kollës.
Medikamentet e kollës që përmbajnë pelargonium, guaifenesinë ose dextromethorphan gjithashtu mund të jenë të dobishme, thonë ata. Pacientët po këshillohen që të përdorin këto trajtime dhe të presin që simptomat të përmirësohen, përpara se të shkojnë në një mjek.
Shumica e rasteve të kollës shkaktohen nga viruset, të cilat nuk mund të trajtohen me antibiotikë dhe do të zhduken në mënyrë natyrale. Sidoqoftë, udhëzimet rekomandojnë që antibiotikët mund të jenë të nevojshëm për një kollë kur vjen si pasojë e një sëmundjeje më të rëndë ose kur një person është në rrezik të komplikimeve të mëtejshme, siç janë personat në situatë kronike shëndetësore ose që kanë imunitet të dobët.
Mjalti nuk rekomandohet për fëmijët nën moshën 1-vjeçare sepse herë pas here përmban baktere që mund të shkaktojnë helmim te foshnjet./tvklan.al