Prej dy vitesh, Flori Stomiçi dhe bashkëshortja e tij kanë lënë emigrimin për t’u vendosur në Ndërlysaj të Dukagjinit ku merren me rritjen e bletëve. Për Florin, ky është një profesion i trashëguar por veç mjaltit e prodhimeve të tjera, ka shtuar një risi: mbledhjen e helmit të bletës.

Ekskluzivisht për programin “Histori Shqiptare” në Tv Klan, ai demonstron sesi mblidhet ky produkt i çmuar, një gram i të cilit kushton 100 dollarë. Helmi mblidhet përmes një pajisjeje që vendoset në koshere e cila ka disa tela elektrikë dhe një pllakë xhami poshtë tyre. Kur bletët pickojnë te telat, lëshojnë helmin që më pas bie te xhami.

Në këtë moment, Flori heq xhamin nga pajisja ku fillimisht duket se nuk ka asgjë, por përmes një spatule të posaçme nis ta mbledhë.

Flori Stomiçi: Tani do të bëjmë heqjen e xhamit nga këtu se helmi i bletës bie këtu poshtë.

Alma Çupi: Ka rënë helmi i bletës te xhami thua ti?

Flori Stomiçi: Po, këtu bie.

Alma Çupi: Unë sikur nuk shoh gjë.

Flori Stomiçi: Është sasi shumë e vogël.

Alma Çupi: Unë prisja të ishte si mjaltë.

Flori Stomiçi: Nuk është si mjaltë, është gati-gati si push.

Alma Çupi: Tani e mbledh kjo këtu, te tehu? Unë prisja që të bëhej grumbull aty.

Flori Stomiçi: Duhet të ketë sasi helmi dhe del e bardhë.

Alma Çupi: Ua sa pak! Domethënë për një koshere që ti e lë pajisjen, ka mbledhur kaq, për një orë?

Flori Stomiçi: Po. Për shembull, po të jemi në muajin maj, që është kohë mjalti, që bletët janë shumë më të fuqishme e aktive në punë, mund të ishte 3-fishi i kësaj për 40 minuta./tvklan.al